
Betohet para Presidentit te Republikës, Giorgio Napolitano qeveria e re italiane e drejtuar nga kryeministrit Matteo Renzi.
Mungonte ministri i Ekonomisë, i cili është në udhëtim në Sindej, ku ndodhet për punimet e G20 dhe kështu do të betohet më pas.
Anëtarët e ekzekutivit të ri, të përbërë nga 16 ministra, tete prej të cilëve gra, morën pjesë në ceremoninë e kalimit të pushtetit në duart e Kryeministrit të ri. Pjesë e kësaj ceremonie ishte edhe dorëzimi simbolik i një zileje, që përdoret në mbledhjen e Këshillin e Ministrave.
Bëri përshtypje klima e akullt mes Matteo Renzi-t dhe kryeministrit të mëparshëm Enrico Letta, i cili evitoi qoftë edhe një shikim me pasardhësin e tij.
Mesa bëhet e ditur, zgjatja e takimit të një dite më parë me presidentin e Republikës, me të cilin Renzi bisedoi më shumë se dy orë e gjysmë, ka patur në qendër heqjen e Emma Bonino-s nga posti i ministres së Punëve të Jashtme.
Kreu i shtetit është treguar skeptik mbi këtë zgjedhje, duke vënë në dukje periudhën jo të lehtë që po kalojnë marrëdhëniet ndërkombëtare, ndërsa Kryeministri i ri ka dashur të japë një mesazh të fortë rinovimi edhe jashtë Italisë.
Ditën e hënë parashikohet paraqitja e programit qeveritar në Senat dhe votëbesimi në këtë dhomë të Parlamentit. Ditën e martë po e njëjta procedurë, po në Dhomën e Deputetëve.
Top Channel