Venezuelë, Lopez akuzohet për vrasje

20/02/2014 00:00

I përballur me protestat më masive anti-qeveritare gjatë 11 muajve në krye të shtetit, presidenti venezuelian Nicolas Maduro duket i gatshëm të lëvizë drejt ndjekjes penale ndaj një prej figurave kryesore të opozitës, bazuar mbi akuzat e terrorizmit dhe vrasjeve.

Katër protestues anti-qeveritarë dhe 1 mbështetës i qeverisë ndërruan jetë gjatë përplasjeve të dhunshme në mbarë Venezuelën.

Sipas qeverisë, personi që mban përgjegjësi për vdekjet është Leopoldo Lopez, një lider opozitar, i cili u vetëdorëzua tek autoritetet e drejtësisë, gjatë së martës.

Grupet e të drejtave të njeriut paralajmërojnë për rrezikun e kthimit të këtyre protestave në përndjekje ndaj kundërshtarëve politikë.

Akuzat ndaj Lopez, i cili ka organizuar protestat duke kërkuar një siguri më të mirë, për t’i dhënë fund mungesës së fjalës së lirë dhe për ta mbrojtur atë, “duken si një përpjekje e motivuar politikisht për të heshtur zërat mospajtues në vend”, bëri të ditur “Amnesty International” përmes një deklarate.

“Human Rights Watch” ngriti gjithashtu zërin, duke paralajmëruar se Venezuela duhet të shmangë “viktimizimin” e kundërshtarëve politikë. Por, duket se gjithçka është vendosur për më tej, teksa Lopez pritet të dalë përpara jurie gjyqësore këto ditë.

Akuzat ndaj tij përfshijnë vrasjen, terrorizmin dhe zjarrvënien e qëllimshme gjatë protestave, siç bën të ditur partia e tij, “Vullneti i Popullor”.

Lopez mohon akuzat, njoftoi partia e tij, e cila u kërkon gjithashtu dëshmitarëve të protestave të japin informacionet e tyre rreth asaj çfarë ndodhi, gjë që mund të përdoret në mbrojtje të tij.

Mijëra mbështetës, ekipe mediatike dhe forca të sigurisë mbushën godinën e drejtësisë së Venezuelës, si një masë paraprake përpara se të mbahet seanca gjyqësore. Por, ekipi ligjor i Lopez, tha mbrëmjen e së mërkurës se zyrtarët kishin urdhëruar një ndryshim të minutës së fundit të vendit të gjyqit, për arsye sigurie.

Juan Carlos Gutierrez, një avokat që përfaqëson Lopez, u tha reporterëve se juria ishte vendosur brenda një burgu ushtarak, jashtë Karakasit, ku lideri i opozitës është duke u mbajtur i arrestuar momentalisht. Avokatët mbrojtës iu drejtuan atij vendi dhe kanë planifikuar arguementat kundër mbajtjes së kësaj seance atje.

Mbështetësit e Lopez akuzojnë qeverinë se ka shkelur procesin, duke vendosur mbajtjen e një seance gjyqësore brenda një burgu. “Kjo është e paprecedent. Kushtetuta jonë thotë se cilido duhet të gjykohet në liri”, tha i ati i tij, i cili mban të njëjtin emër, Leopoldo Lopez, për CNN.

Top Channel