
Të paktën 100 protestues u qëlluan për vdekje dhe mbi 500 të tjerë janë plagosur nga forcat e sigurisë në Kiev, duke i dhënë fund “armëpushimit” të shkurtër, që u arrit mbrëmjen e së mërkurës, mes Presidentit Viktor Yanukovych dhe udhëheqësve të opozitës.
Dëshmitarët i thanë BBC-së se disa persona kanë humbur jetën si pasojë e një plage të vetme, e shkaktuar nga snajperat. Zyrtarët e Ministrisë së Brendshme thanë se “një polic ka humbur jetën, ndërsa 67 të tjerë janë marrë peng nga protestuesit dhe për lirimin e tyre mund të ndërhyhet”.
“Ky nuk është terrorizëm, as ekstremizëm, megjithëse metodat nuk janë të përhapura në botë. Sa u takon diskutimeve paqësore, për fat të keq, në këtë fazë askush nuk dëgjon. Ne toleruam korrupsionin, vjedhjen, çdo gjë. Ka mbetur vetëm një metodë, për t’u treguar të gjithëve se diçka duhet bërë”, tha Oleksander, një prej protestuesve.
Pamjet e regjistruara tregojnë snajperat që qëllojnë protestuesit, të cilët po përpiqen të mbajnë nën kontroll kampin e tyre në sheshin e Pavarësisë.
Në Tëitter u publikuan pamjet e 13 trupave të pajetë, në një hotel të Kievit, ku ndodhen dhe gazetarë të huaj, i shndërruar në një morg të improvizuar, apo në një qendër kurimi të të plagosurve.
Përmes një deklarate, faqja online e Presidencës fajësoi opozitën për dhunën. “Thirrjet për armëpushim dhe dialog nuk ishin asgjë, por një mënyrë për të fituar kohë, për të mobilizuar dhe armatosur militantët nga Maidan”. Ndërsa udhëheqësit e opozitës thanë se “dhuna është provokuar nga autoritetet”.
Deputetët që morën pjesë në një seancë të jashtëzakonshme, të enjten, votuan për të dënuar dhunën. Ata bënë thirrje për ndalimin e përdorimit të armëve kundër protestuesve, si dhe tërheqjen e ushtarëve dhe policëve. Në seancën parlamentare morën pjesë 239 nga 450 deputetë, shumica e të cilëve ishin nga partitë e opozitës.
Ministrat e Jashtëm të Francës, Gjermanisë dhe Polonisë, kanë zhvilluar bisedime për rreth pesë orë me Presidentin Viktor Yanukovych. Kryeministri polak, Donald Tusk, tha se presidenti Yanukovych kishte shprehur vullnetin për të zhvilluar zgjedhje të parakohshme.
Top Channel