
Skandali i mashtrimit me faturat e TVSH-së vazhdon të thellohet. Tatimet
njoftuan se kanë zbuluar një tjetër rast përmes të cilit buxhetit të
shtetit i janë vjedhur 3.2 milionë dollarë.
Përmes një njoftimi zyrtar Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve bëri të ditur se njësia e hetimit tatimor ka bërë të mundur ndalimin e shtetasit Besim Hoxha administrator i subjektit “Eraldi – 2010” me aktivitet ekonomik kryesisht në fushën e ndërtimit.
Tatimet njoftojnë se ndalimi i tij është bërë në zbatim të Vendimit të Gjykatës se Tiranës, e cila pas hetimeve ka vendosur ndaj hoxhës masën e sigurisë “Arrest me burg”. Sipas njoftimit, kjo masë erdhi pas një hetimi disamujor të bërë nga Drejtoria e Hetimit Tatimor Tiranë në bashkëpunim me Prokurorinë, nga ku u dokumentua se shtetasi Besim Hoxha, në bashkëpunim me disa subjekte të tjerë, emrat e të cilëve nuk jepen për arsye hetimi, kishin krijuar një skemë gjigande mashtrimi, duke qarkulluar fiktivisht fatura tatimore me qëllim përfitimin e kreditimit të TVSH-së.
Drejtoria e Tatimeve bënë të ditur se po vazhdon puna për hetimin dhe goditjen e të gjithë autorëve të përfshirë në këtë skemë.
Administrata tatimore garanton se është e vendosur të dërgojë përpara drejtësisë çdo subjekt të përfshirë, në skema të tilla mashtrimi apo çfarëdo lloj veprimtarie kriminale në fushën e tatim taksave. Ky është rasti i disatë brenda pak muajve kur tatimet zbulojnë skema mashtrimi me tvsh-në, përmes të cilave buxhetit i janë grabitur miliona euro, pas rastit të kompanive fantazmë nga kina, skemës gjigande të mashtrimit me skrapin por edhe disa raste të tjera, të përqëndruara kryesisht në periduhdën qershor-gusht të vitit të kaluar gjatë trancizionit të pushtetit.
Top Channel