SHBA: Kujdes nga këpucët-eksplozivë

20/02/2014 00:00

Qeveria amerikane ka këshilluar kompanitë ajrore të jenë të kujdesshme ndaj përpjekjeve për të trafikuar eksplozivë në bordet e avionëve, përmes këpucëve.

Zyrtarë të Sigurisë Kombëtare nuk kanë dhënë ndonjë rast të njohur specifik të kërcënimeve apo komploteve, por thanë se paralajmërimi fokusohet për fluturimet drejt SHBA-ve nga jashtë vendit.

Kjo është hera e dytë gjatë javëve të fundit, që SHBA-të kanë paralajmëruar mbi një kërcënim gjithnjë e në rritje për eksplozivë nëpër aeroplanë.

Në vitin 2001, britaniku Richard Reid u përpoq të shpërthente eksplozivin e fshehur në këpucët e tij, gjatë një fluturimi nga Parisi drejt Miami-t.

“Forcat tona të sigurisë përfshijnë një numër masash, të dukshme dhe të padukshme, të informuar nga informacionet e fundit të inteligjencës dhe, si gjithmonë, Departamenti për Sigurinë Kombëtare (DHS) do të vazhdojë të përmirësojë masat e sigurisë, për t’iu përshtatur çdo lloj zhvillimi kërcënues”, thuhej në deklaratën e DHS-së, të lëshuar gjatë së mërkurës, të raportuar nga agjencia e lajmeve “Associated Press”.

Këshillat e fundit vijnë vetëm pak javë, pasi SHBA-të informuan kompanitë ajrore të jenë të kujdesshme për eksplozivë të fshehur në pastat e dhëmbëve (kolinozët), sa i përket udhëtimeve drejt Rusisë, ku zhvillohen edhe Lojrat Olimpike Dimërore, në Sochi, pikërisht përpara ceremonisë hapëse të tyre.

Top Channel