Obama nxit tregtinë SHBA-Azi

20/02/2014 00:00

Presidenti amerikan Barack Obama ka bërë thirrje për zgjerimin e
marrëveshjeve tregtare mes Amerikës së Veriut dhe Azisë, pavarësisht
shqetësimeve në radhët e partisë së tij.

Në përfundim të një takimi me liderët e Meksikës dhe Kanadasë, zoti Obama tha se së bashku duhet të ruajnë avantazhin e tyre në konkurrencën e tregut.

Të treja vendet po negociojnë për më shumë marrëveshje tregtare në zonën e Paqësorit. Por aleatët demokratë të zotit Obama e kundërshtojnë marrëveshjen për shkak të shqetësimeve se Amerika mund të humbasë vende pune.

Presidenti amerikan ishte në Toluka të Meksikës ditën e mërkurë për të diskutuar për tregtinë, emigracionin dhe çështjet e energjisë me liderët kanadezë dhe meksikanë.

Konkretisht, ata diskutuan për Partneritetin Ndër-Paqësor, një pakt rajonal mes 12 vendeve që do të ishte një nga marrëveshjet tregtare më të mëdha në botë.

“Ne do ta miratojmë atë nëse është një marrëveshje e mirë”, deklaroi Obama gjatë një konference të përbashkët për shtyp me homologun meksikan Enrique Pena Nieto dhe kryeministrin kanadez Stephen Harper.

Bisedimet mes tre vendeve vunë në dukje ndryshimet në ekonomitë përkatëse në dy dekadat e fundit, që kur hyri në fuqi Nafta, marrëveshja më e madhe e nënshkruar ndonjëherë mes tyre.

Presidenti Nieto deklaroi se marrëveshjet e reja synojnë të çojnë përpara progresin që secili nga vendet ka arritur që nga nënshkrimi i Naftas.

Ndërsa kryeministri Harper mbështeti propozimin për Partneritetin Ndër-Paqësor, duke thënë se është i vendosur për të çuar përpara negociatat për arritjen e një marrëveshjeje.

Top Channel