
Shoqatat e biznesit ankohen se koncesioni i skanimit e ngarkon
sipërmarrjen me kosto marramendëse, që sipas tyre, janë të padrejta.
Luan Bregasi i “Biznes Albania” thotë se në këto kushte Qeveria duhet të marrë përsipër përgjegjësitë e saj për ta anuluar këtë koncension.
“Shteti prandaj është dhe prandaj janë zgjedhur, që të mendojnë rrugët më të mira juridike, ligjore për të prishur ato shërbime, ato koncesione që i kanë krijuar një kosto shumë të madhe sipërmarrjes private. Në rastin konkret, nga shifrat që ka ‘Biznes Albania’, kostoja që i shkaktohet biznesit në një vit është gati 35 deri në 40 milionë euro”, tha Bregasi.
“Kjo është një kosto që rëndon sipërmarrjen, por që realisht nuk ka asnjë lloj efekti tjetër në të ardhurat e shtetit, sepse kur paguan një shërbim që duhet ta jepte Qeveria, që duhet ta jepte institucioni i Drejtorisë së Përgjithshme e Doganave, unë mendoj që është një kosto e dyfishtë, sepse e para rëndon xhepat e sipërmarrësve shqiptarë dhe e dyta nuk është në destinacionin e duhur”, tha Nikolin Jaka, kryetar i Dhomës së Tregtisë.
Kreu i “Biznes Albania” mendon se pasojat negative që bien mbi biznesin nga këto kontrata monopol janë maksimale.
“Nuk ka arsye që të gjithë këtyre vështirësive që ka tregu të imponuara nga jashtë dhe nga faktorë të brendshëm t’i shtohet në mënyrë artificiale një kosto kaq e madhe dhe krijohet një vështirësi kaq e madhe që ne jemi gati përballë asaj që edhe mund të ketë falimente të mundshme”, tha Bregasi.
Ndërsa Nikolin Jaka mendon se minimalisht ndaj tyre duhet te këtë një trajtim fiskal më të rëndë.
“Të paktën të jetë një diferencim në tatimin e fitimit. Ne propozuam tatimin mbi rendimentin, tatimin mbi fitimin e realizuar, sidomos në koncesionet, të cilat kanë fitime dhe pritshmëri të sigurta”, thotë Jaka.
Dy vitet e fundit Qeveria e mëparshme koncesionoi në seri, një sërë shërbimesh fiskale dhe të drejtash ekskluzive të shtetit, duke i transferuar si monopol te privati.
“Absolutisht shërbimi monopol të biznesit dhe me kosto marramendëse që shkojnë në xhepa të pamerituara të individëve të veçantë, që ndoshta edhe i kanë shërbyer Qeverisë”, thotë Bregasi.
Vetë shifrat zyrtare tregojnë se vetëm kontratat koncesionare në fushën e fiskut i kushtojnë biznesit dhe qytetarëve me qindra milionë euro në vit.
Top Channel