
Rreth 100 tonelata ujë radioaktiv kanë rrjedhur nga një çisternë në impiantin bërthamor të Fukushimës, në Japoni. Lajmin e ka komunikuar operatori që menaxhon impiantin, “Tepco”.
Uji toksik mund të ketë rrjedhur pasi një valvul ishte lënë hapur gabimisht, njoftoi Tepco. Gjithësesi, ka pak gjasa që uji të ketë arritur oqeanin.
Impianti, i cili u dëmtua nga tërmeti dhe tsunami i vitit 2011, është përballur që atëherë me probleme të shumta, përfshirë këtu rrjedhje dhe ndërprerje të energjisë.
Rrjedhja e fundit është më seriozja që prej muajit gusht, kur nga impianti u derdhën 300 tonelata ujë, duke bërë që Agjencia Bërthamore Japoneze të jepte alarmin për rrezikun nga incidenti.
Uji i rrjedhur nga incidenti i fundit, i verifikuar në orët e vona të së mërkurës, kishte një radioaktivitet prej 230 milionë bekuerel për litër, deklaroi zëdhënësi i Tepco, Masayuki Ono për gazetarët.
Një bekuerel është njësia e përdorur për matjen e radioaktivitetit. Udhëzimet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë janë kundër konsumimit të ujit me nivel radioaktiviteti mbi 10 bekuerel për litër.
Sipas të dërguarit të BBC në Tokio, Tepco tha gjithashtu se uji u derdh nga një çisternë, por rrjedhja u zbulua vetëm pas shumë orësh.
Operatori tha se rrjedhja ndodhi kur uji i kontaminuar u pompua aksidentalisht në një çisternë të madhe që ishte e mbushur, vijon korrespondenti i rrjetit britanik të lajmeve.
Top Channel