
Irani raportohet se ka pranuar një program për bisedimet me gjashtë fuqitë botërore në Vjenë, që kanë si qëllim kufizimin e programit të tij bërthamor.
Një zyrtar i lartë iranian u citua nga mediat botërore të thoshte se marrëveshja u arrit pas dy ditë bisedimesh. Por korrespondentët thonë se dy palët mbeten ende larg nga një zgjidhje përfundimtare.
Zëvendësministri i Jashtëm iranian, Abbas Araqchi tha për agjencinë e lajmeve “IRNA”: “Palët e përfshira kanë rënë dakord për axhendën dhe një program dhe raundi i ardhshëm i bisedimeve do të jetë në gjysmën e dytë të marsit në Vjenë”.
Ndërsa një zyrtar i Departamentit amerikan të Shtetit u citua më herët nga agjencia e lajmeve “Reuters” të thoshte se bisedimet e ditës së mërkurë ishin “konstruktive dhe të dobishme”.
Si Irani ashtu edhe Shtetet e Bashkuara kanë deklaruar publikisht se gjithësesi mund të mos jetë e mundur të arrihet një marrëveshje përfundimtare.
Njoftimi i Iranit erdhi në prag të ditës së tretë të bisedimeve mes tij dhe përfaqësuesve të grupit “5+1”, ku bëjnë pjesë SHBA, Britania, Franca, Kina, Rusia plus Gjermaninë.
Takimi i Vjenës synon arritjen e një marrëveshjeje në bazë të një akordi të arritur në nëntor që parashikon që Irani të reduktojë pasurimin e uraniumit në këmbim të lehtësimit të pjesshëm të sanksioneve.
Shefi i diplomacisë iraniane, Mohammad Javad Zarif deklaroi të mërkurën se një marrëveshje afatgjatë është e mundur, por do të kërkojë kohë.
Top Channel