
Qindra të afërm koreano-veriorë dhe jugorë po takohen për herë të parë
në dekada, në kuadër të një ribashkimi për familjet e ndara nga lufta
koreane. Mbi 100 jugorë, shumica të moshuar, mbërritën të
enjten në Veri për takimin.
Ribashkimi, që vjen pasi Peniani ftoi Seulin për raporte më të mira, do të zhvillohet nga data 20 në 25 shkurt. Ditën e enjte 82 të moshuar koreano-jugorë, të shoqëruar nga 58 familjarë, u nisën për në Veri me autobus.
Një pjesë e mirë e tyre ishin të paralizuar në karrike me rrota, ndërsa dy udhëtuan me makina ambulance pasi u duhej mbikëqyrje mjekësore e vazhdueshme.
Sipas agjencisë së lajmeve “AFP”, ata kishin marrë me vete dhurata, përfshirë rroba, ilaçe dhe ushqim për të afërmit. Ata i takuan të afërmit të emocionuar dhe të përlotur në një resort në lokalitetin malor të Kumgangut.
Është planifikuar që familjet të konsumojnë edhe një darkë së bashku. Rreth 180 koreano-veriorë ndoqën ribashkimin, njofton më tej AFP. Gjithësesi, këto janë evenimente të shkurtra dhe më pas familjarët kthehen në shtëpitë respektive.
Gjithashtu, ai ndodh në prag të stërvitjeve ushtarake të planifikuara mes Shteteve të Bashkuara dhe Koresë së Jugut. Më herët Peniani zyrtar kishte kërcënuar se do të anulonte ribashkimin nëse stërvitjet do të zhvilloheshin.
Top Channel