Reduktimi i çmimeve të referencës

19/02/2014 00:00

Drejtoria e Doganave do të nisë reduktimin gradual të çmimeve të referencës që përdoren për llogaritjen e detyrimeve tatimore të biznesit.

Në një seancë pyetje-përgjigje me anëtarë të Dhomës Amerikane të Tregtisë, drejtoresha e Doganave, Elisa Spiropali tha se afati përfundimtar për reduktimin e çmimeve të referencës deri në një masë të arsyeshme është janari i vitit që vjen.

“Është deklaruar edhe nga ministri i Financave data 1 janar 2015, si një vit i tërë për t’u marrë me çështjen e çmimeve të referencës, sidomos në bashkëpunim me SHBA dhe BE. Grupi po punon intensivisht për një reduktim të arsyeshëm të çmimit të referencës. Askush nuk ka folur për eleminimin total të këtij çmimi”, deklaroi Elisa Spiropali, drejtoreshë e Doganave.

Nga ana tjetër, me mbështetjen këshillimore të “Crown Agent” synohet forcimi i kontrollit me qëllim luftën kundër kontrabandës dhe çdo shkeljeje ligjore.

“Do të bëhen 450 kontrolle në muaj. Bëhet fjalë për kontrolle ndaj administratës doganore dhe operatorëve që nuk janë të rregullt, ose që bashkë me administratën shkelin ligjin”, saktësoi Spiropali.

“Nëse bëjmë inspektime dhe nuk gjenden shkelje, atëherë do të bëhet një analizë risku mbi bazën e së cilës do të operohet më tej. Gjatë këtyre inspektimeve nuk do të kontrollojmë sërish tregtarët legjitimë për të mos humbur kohë, por ata që shkelin ligjin”, deklaroi Kevin Atkinson.

Sipas përfaqësuesit të “Crown Agent”, Kodi i ri Doganor që do t’i paraqitet Ministrisë së Financave e që synon thjeshtëzimin e rregullave dhe proçedurave doganore, do të lehtësojë mjaft punën e administratës doganore.

Top Channel