Përgjaket Ukraina, 25 të vrarë në Kiev

19/02/2014 00:00

Presidenti ukrainas, Viktor Yanukovich fajësoi opozitën për falën e re të dhunës në vend, që ka shkaktuar të paktën 25 viktima, vetëm në kryeqytetin Kiev.

Pas dështimit të bisedimeve me opozitën, Yanukovich ftoi udhëheqësit e kësaj të fundit që të distancohen nga grupet radikale dhe tha se janë ende në kohë për t’i dhënë fund konfliktit.

Ndërkohë, policia vazhdon operacionin në kampet e protestuesve. Ndryshe nga presidenti, aktivistët e të drejtave të njeriut fajësuan qeverinë për dhunën e shpërthyer. Sipas tyre, ndërhyrjet brutale të policisë shkaktuan reagimin e turmës.

Në Kiev numërohen të paktën 25 viktima, nga të cilët 9 raportohen oficerë policie, ndërsa të plagosurit janë mbi 150. Të martën, në orën 18:00 me orën lokale (17:00 me orën tonë) përfundoi ultimatumi i vendosur nga forcat e rendit, për boshatisjen e sheshit. Përmes megafonëve, ata njoftuan “nisjen e operacionit anti-terror”. Ata përdorën pompat e ujit dhe avancuan me automjetet e blinduara. Protestuesit u kundërpërgjigjën me gurë dhe fishekzjarre.

Udhëheqësi i opozitës, Arseniy Yatsenyuk, këmbënguli se kampi nuk do të lëvizë prej “Maidan”-it, ndërsa Vitali Klitschko u kërkoi grave dhe fëmijëve të largohen, sepse nuk përjashtohet përdorimi i forcës.

Një prej këshilltareve të Yanukovych, i cituar nga media ukrainase, tha se presidenti është kundër përballjes dhe konfliktit. Më herët, policia bllokoi protestuesit, që po marshonin drejt Parlamentit, ku deputetët do të debatonin projekt/propozimin e opozitës për ndryshime në Kushtetutën e vendit, për t’iu kthyer dokumentit të vitit 2004, që kufizonte pushtetin e Presidentit.

Por, përfaqësuesit e opozitës thanë se u bllokuan dhe nuk arritën të dorëzojnë draftin e tyre. Siç raportojnë mediat ndërkombëtare, pati përleshje brenda Parlamentit. Kryetari i Parlamentit, Volodymyr Rybak, tha se, mëngjesin e së mërkurës, udhëheqësit e opozitës do të takohen me presidentin Viktor Yanukovych.

SHBA tepër të shqetësuara për situatën

Shtetet e Bashkuara shprehen shqetësim të thellë për situatën në Ukrainë dhe i bënë thirrje presidentit Viktor Janukoviç të ulë tensionet dhe të zhvillojë bisedime të menjëhershme me opozitën.

Raportet nga Shtepia e Bardhe tregojne se numri dy i administrates amerikane Joe Biden ka përdorur fjalë të forta në një bisedë telefonike me Janukoviçin, duke i kerkuar të tërheqe forcat qeveritare dhe të ushtrojë përmbajtje maksimale.

Dhuna eshte e denueshme nga secili krah qe ajo te vije, ka thene Biden, megjithate Qeveria mban pergjegjesine kryesore per uljen e tensioneve.

Zevendespresidenti amerikan ka nenvizuar nevojën “urgjente për dialog të menjëhershëm me udhëheqësit e opozitës për të trajtuar shqetësimet legjitime të protestuesve dhe për të dalë me propozime serioze për reforma politike.”

Më herët, zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë Jay Carney percolli shqetesimin e ëashingtonit nga dhuna dhe raportet për grumbullimin e policisë së armatosur pranë Sheshit të Pavarësisë, në kampin kryesor të protestuesve. Ambasada e Shteteve te Bashkuara në Kiev ka publikuar në faqen e saj të internetit të dhënat më të fundit mbi dhunën në Ukrainë, duke i këshilluar të gjithë shtetasit amerikanë në këtë vend që të tregohen të kujdesshëm dhe të qëndrojnë në banesat e tyre. misioni diplomatik keshillon shmangien e të gjitha protestat dhe tubimet e mëdha, duke thënë se situata në Ukrainë është “e paparashikueshme dhe mund të ndryshojë shpejt.”

BE shqyrton sanksionet: Dhuna e patolerueshme

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki-Moon, bëri thirrje për përmbajtje dhe dialog.

Ngjarjet e fundit në Kiev kanë nxitur Bashkimin Europian të rimarrë në konsideratë mundësinë e sanksioneve ndaj Ukrainës.

Agjencia e lajmeve AFP raporton se presidenti francez, Francois Hollande kërkoi nga blloku të marrë në shqyrtim mundësinë e sanksioneve ndaj udhëheqësve ukrainas, që akuzohen nga Brukseli për dhunën e përshkallëzuar në vend.

Ministrat e Jashtëm të BE-së kanë thërritur një mbledhje të jashtëzakonshme për të diskutuar mbi këtë temë.

Ndërkohë, Moska ka anuluar këstin e radhës së huasë prej 15 miliard dollarësh. Një zëdhënës i Kremlinit tha se në të tilla kushte nuk mund të lëvrohet ky këst. Kësti ishte një shumë prej 2 miliard dollarësh që nëse do të akordohej do të conte në 5 miliard dollarë nga 15 miliard që parashikon marrëveshja mes Ukrainës dhe Rusisë e nënshkruar mes Putin dhe Yanukovich pak ditë pasi ky i fundit refuzoi marrëveshjen ekonomike me Bashkimin Europian.

Në një tjetër reagim, Presidenti i Komisionit Europian, Jose Manuel Barroso shprehu tronditjen për viktimat dhe tha se në asnjë rrethanë dhe në asgjë s’mund të justifikojë të tilla skena.

“Dënojmë me forcë përdorimin e dhunës si një mënyrë për të zgjidhur një krizë politike dhe institucionale. Është detyrë e udhëheqësve politikë të vendit dhe përgjegjësi e tyre për të garantuar mbrojtjen e lirive dhe të drejtave themelore të njeriut”, tha Barroso.

Ministri i Jashtëm gjerman, Frank-Walter Steinmeier, u bëri thirrje palëve t’i kthehen përpjekjeve për gjetjen e një zgjidhjeje politike.

“Unë dënoj çdo lloj dhune dhe kushdo, që beson se përdorimi i dhunës në Ukrainë është një mënyrë për të dalë nga situata, gabohet”, deklaroi Frank-Walter Steinmeier.

Ministri britanik për Europën, David Lidington, tha se një dhunë e tillë nuk ka vend në demokracitë europiane dhe u kërkoi palëve të gjejnë rrugën e kompromisit. Ministria e Jashtme e Polonisë thërriti zv/ambasadorin e Ukrainës për t’i shprehur shqetësimin, duke bërë thirrje për dialog të menjëhershëm. Shefja e Politikes së Jashtmë të Bashkimit Europian, Catherine Ashton, u shpreh “tejet e shqetësuar” për përshkallëzimin e dhunës dhe u kërkoi politikanëve të adresojnë shkaqet fillestare të krizës.

Moska fajëson për dhunën, “bashkëpunimin e fshehtë të politikanëve perëndimore, strukturat europiane dhe refuzimin e tyre për të marrë në konsideratë veprimet agresive të forcave ekstremiste”.

Top Channel