Autoritetet e Koresë së Veriut arrestuan një misionar australian, informoi të mërkurën bashkëshortja e tij.
75-vjeçari John Short po bënte udhëtimin e tij të dytë në shtetin më të izoluar të botës, së bashku me një grup turistësh, kur u arrestua në kryeqytetin Penian.
Bashkëshortja e tij pranoi se Short nuk e kishte fshehur qëllimin e vizitës dhe se kishte marrë me vete në udhëtim materiale fetare të përkthyera në gjuhën koreane.
Në Korenë e Veriut, besimi në fe është i ndaluar dhe i dënueshëm me burgim, në mënyrë të ngjashme siç ndodhte pas vitit 1967 në Shqipërinë Komuniste.
Ministria e Jashtme e Australisë konfirmoi se është në dijeni të arrestimit të misionarit dhe se ka nisur tratativat për lirimin e tij.
Megjithatë, mbajtja e këtyre negociatave vështirësohet nga fakti që Australia nuk ka një përfaqësi diplomatike në Korenë e Veriut dhe se marrëdhëniet midis dy vendeve janë të një niveli minimal.
Top Channel