
Presidenti i Kolumbisë, Juan Manuel Santos, ka shkarkuar shefin e Forcave të Armatosura, për shkak të komenteve përçmuese në lidhje me hetimet për vrasjet e jashtëligjshme.
Santos tha se gjeneral Leonardo Barrero është shkarkuar për “vërejtjet fyese” që u shfaqën si pjesë e një hetimi për të akuzuarat marrëveshje prokurimi të korruptuara nga ushtria.
Akuzat u publikuan në revistën e përjavshme kolumbiane, Semana. Edhe 4 gjeneralë të tjerë u shkarkuan nga detyra, për shkak të parregullsive në kontrata.
Vërejtjet e gjeneral Barrero-s u kapën në bisedat telefonike të regjistruara në mënyrë të fshehtë, teksa hetuesit po bënin kërkime mbi akuzat për korrupsion.
Presidenti Santos theksoi se gjeneral Barrero mori dënimin për shkak të komenteve të tij, rreth hetimeve për vrasjet e jashtëligjshme të njohura si “false positives”, ku mijëra civilë ishin vrarë nga ushtria, duke u etiketuar si rebelë në beteja.
“Komandanti i Forcave të Armatosura nuk po largohet për ndonjë vepër korrupsioni, por për vërejtjet e tij fyese në lidhje me drejtësinë”, tha Santos, duke shtuar se oficerët e tjerë “kishin dijeni për parregullsitë dhe nuk kishin vepruar”.
Në audion tjetër të regjistruar, gjeneral Barrero dëgjohet të ketë thënë ndaj një koloneli të burgosur, se oficerët duhet t’u bashkohen forcave “si një mafie” kundër hetuesve të drejtësisë.
Top Channel