Kiev, hapet rruga për paqen

19/02/2014 00:00

Presidenti i Ukrainës, Viktor Yanykovych, dhe udhëheqësit e opozitës do të nisin negociatat, me qëllimin për t’i dhënë fund gjakderdhjes së ditëve të fundit, që numëron 26 të vrarë dhe mbi 600 të plagosur.

Në deklaratën e publikuar në faqen e presidentit thuhet se, “mes tyre është rënë dakord për ta stabilizuar situatën, në interes të paqes sociale”.

Më herët, presidenti Yanukovych shkarkoi kreun e Forcave të Armatosura, Gjeneral-Kolonel Volodimir Zamana. Ndërsa forcat e sigurisë njoftuan nisjen e fushatës së anti-terrorit, kundër “grupeve ekstremiste”, që morën nën kontroll ndërtesa qeveritare dhe depo armësh.

Nuk u dhanë detaje por, sipas ligjit të Ukrainës, Ministria e Brendshme, Rojet Kufitare dhe Forcat e Armatosura do të përfshihen në këtë operacion.

Gjeneral-Kolonel Volodimir Zamana u zëvendësua nga komandanti i Marinës së Ukrainës, Admirali Jurij Ilin, përmes një dekreti presidencial.

Dukej se situata po qetësohej të hënën, kur protestuesit i dhanë fund pushtimit të ndërtesave qeveritare në Kiev, në këmbim të amnistisë. Por, mëngjesin e së martës nisën përleshjet e dhunshme jashtë Parlamentit, ndërsa përkrahësit e qeverisë bllokuan – brenda tij – përpjekjet e opozitës për të ndryshuar Kushtetutën dhe për t’i kufizuar pushtetin presidentit.

Mbështetësit e Yanukovych argumentuan se do të duhej më shumë kohë për të diskutuar propozimet. Mbrëmjen e së mërkurës, mediat i cilësuan apokaliptike pamjet, ku shiheshin protestuesit që qëllonin me gurë, lëshonin fishekzjarre apo bomba me benzinë, ndërsa forcat e rendit kundërpërgjigjeshin me pompat e ujit apo granatat tymlëshuese.

Të dy palët akuzojnë njëra-tjetrën se po qëllohet me plumba të vërtet. Përleshjet vërshyen përtej Kievit, në qytetin perëndimor të Lviv-it, ku protestuesit morën nën kontroll ndërtesën e Bashkisë dhe komisariatet e policisë.

Situatë e ngjashme ishte edhe në Ivano Frankivsk dhe Ternopil.

Disa udhëheqës europianë fajësuan autoritetet për dhunën në Ukrainë. Ministrat e Jashtëm të Francës, Gjermanisë dhe Polonisë, do të takohen në Kiev, të enjten, për të vlerësuar situatën përpara takimit në Bruksel, ku do të diskutohet nëse do t’i vendosen sanksione Ukrainës.

Presidenti amerikan, Barack Obama, paralajmëroi se do të ketë pasoja për këdo që kalon vijën, përfshire këtu edhe ndërhyrjen e ushtrisë, në një situatë që duhet të zgjidhet nga civilët.

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki-moon, e quajti tërësisht të papranueshme përdorimin e dhunës nga secila palë, ndërsa Rusia foli për një komplot për grusht-shteti në Ukrainë.

Top Channel