Fitime rekord për Ferrarin

19/02/2014 15:35

Kompania italiane e prodhimit të automobilëve, “Ferrari”, raportoi fitime rekord në 2013-n, ndonëse shiti një numër më të vogël automjetesh se në vitin paraardhës.

Ferrari arriti një fitim neto prej 264 milionë eurosh ose 5,4% më shumë se 2012-ta.

Kjo ndodhi pavarësisht se numri i makinave të shitura ra me 5%, me 6 922 në total.

Ferrari tha se reduktimi i numrit të automjeteve të shitura ishte i qëllimshëm, për të ruajtur statusin e një makine luksi dhe për të rritur vlerën e çdo automjeti të prodhuar nga kjo markë.

Si rezultat, të ardhurat totale pësuan edhe ato një rritje prej 5%, duke kapur vlerën e 2,3 miliardë eurosh.

“Ne dëshironim të ruanim të njëjtin nivel eksluziviteti, duke prodhuar produkte të mrekullueshme, si vetëm Ferrari di të bëjë”, tha presidenti i grupit, Luca di Montezemolo.

Gjatë 2013-s, Britania u shndërrua në tregun kryesor europian të Ferrarit, me 677 automjete të shitura, duke lënë pas Gjermaninë.

Në Itali, ku kompania është e bazuar, shitjet ranë në vetëm 205 porosi, duke rënë në një minumum historik ndikuar nga kriza ekonomike që po kalon vendi.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbeten tregu kryesor i “kokëkuqes”, me mbi 2 mijë porosi ose një rritje prej 9% në 12 muajt paraardhës.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA