Kore e Jugut, shembet ndërtesa, 10 të vdekur

18/02/2014 00:00

Të paktën 10 persona kanë vdekur dhe mbi 100 të tjerë janë plagosur nga shembja e një ndërtese në një resort të Koresë së Jugut.

Mbi 560 persona thuhet se po ndiqnin një koncert në qytetin jug-lindor Gjeongzhu, kur një pjesë e sallës së madhe u shemb. Nëntë nga personat që humbën jetën ishin studentë, njoftuan autoritetet lokale.

Shërbimet e zjarrfikësve kanë fajësuar peshën e dëborës mbi tarracë për incidentin, ndërkohë që moti i keq ka penguar operacionet e shpëtimit.

Struktura u shemb gjatë një evenimenti dedikuar studentëve të vitit të parë të universitetit nga qyteti jugor i Busanit. “Ne besojmë se qendra e tarracës së ndërtesës nuk e mbante dot më peshën e dëborës dhe për rrjedhojë u shemb”, deklaroi një zyrtar.

Ndërsa një zëdhënës i Ministrisë për Sigurinë dhe Administratën Publike u tha gazetarëve: “Dhjetë persona kanë vdekur, dy janë plagosur rëndë dhe 101 të tjerë kanë marrë plagë të lehtë”.

Skuadrat e shpëtimit vazhdojnë ndërkohë kërkimet nën rrënoja, për verifikuar nëse në to ka të bllokuar të tjerë. Mediat lokale raportojnë se shembja ndodhi rreth orës 21:15 me orën lokale.

Një numër i madh studentësh nga Universiteti i Busanit për Studimet e Huaja ndodheshin në resortin Mauna Ocean dhe shumë prej tyre arritën të dilnin vetë nga ndërtesa e dëmtuar.

“Tavani u shemb fillimisht në një pjesë pranë skenës. Më pas ndodhi një ferr i vërtetë dhe të gjithë filluan të vraponin drejt daljeve duke klithur e bërtitur”, ka treguar një student për mediat lokale.

Top Channel