Italia tërheq ambasadorin nga India

18/02/2014 15:15

Italia tërhoqi ambasadorin e saj nga India, pas përshkallëzimit të mosmarrëveshjeve në lidhje me gjykimin e dy marinarëve italianë në një gjykatë në Nju Delhi.

Kalvari i gjatë i përballjes me drejtësinë të Massimiliano Latorre dhe Salvatore Girone, të akuzuar për vrasje ka nisur prej tre vitesh tashmë dhe reagimi i ashpër i Romës zyrtare u motivua nga vendimi i Indisë për të shtyrë për të 26-n herë nisjen e gjykimit të tyre.

Ministria e Jashtme informoi se ambasadori Daniele Mancini është urdhëruar që të rikthehet menjëherë në vend, për shkak të “sjelljes së papranueshme dhe vonesave të qëllimshme të drejtësisë indiane”.

Marinarët, të cilët kishin si detyrë të mbronin një çisternë italiane pretendojnë se qëlluan ndaj peshkatarëve indianë pasi i ngatërruan për piratë, ndërsa po lundronin pranë brigjeve të Keralës në vitin 2012.

Njëri prej peshkatarëve ndërroi jetë si pasojë e këtij sulmi.

Ish-kryeministri i Italisë, Enrico Letta, deklaroi më parë gjatë Shkurtit se ndjekja penale e marinarve është “tërësisht e papranueshme” dhe theksoi se Roma e Bashkimi Europian do të veprojnë.

Pas incidentit të ndodhur në Shkurt 2012, Massimilian Latorre dhe Salvatore Girone u arrestuan dhe u vendosën në një burg indian.

Roma dhe Nju Delhi nisën disa negociata të gjata diplomatike, që lejuan marinarët të ktheheshin në shtëpi dhe të votonin në zgjedhjet e Shkurtit 2013.

Italia fillimisht refuzoi që të kthente Latorren dhe Gironen në Indi, duke argumentuar se ata duhet të gjykoheshin në vend, duke qenë se incidenti ndodhi në ujra ndërkombëtarë.

Megjithatë, të dy marinarët u rikthyen në Indi në Mars 2013 dhe që prej atëherë mbahen të burgosur në Indi.

Top Channel