Irak, dhjetëra të vrarë në valën e shpërthimeve

18/02/2014 15:25

Të paktën 33 persona mbetën të vrarë në një valë shpërthimesh që përfshinë të martën kryeqytetin e Irakut, Bagdadin.

Shpërthimet ndodhën vetëm një ditë pasi 23 shtetas të tjerë u vranë në një tjetër shpërthim me autobombë.

Një sulm u regjistrua gjatë ditës edhe në qytetin e Hilës, në jug të kryeqytetit.

Në Janar, më shumë se 1 mijë irakenë mbetën të vrarë në sulmet e ndërmarra kryesisht ndaj popullsisë shiite dhe godinave qeveritare.

Për shkak të dhunës ndërfetare në vendin me popullsi të ndarë në 60% shiitë, 35% sunitë dhe 5% të tjerë, të paktën 8 mijë persona mbetën të vrarë gjatë 2013-s, numri më i lartë i viktimave që prej kulmit të rezistencës anti-amerikane të viteve 2006-07.

Megjithatë, nga shifrat e publikuara prej OKB-së përjashtohet numri i panjohur i viktimave në krahinën e Anbarit, ku ushtria po lufton ndaj militantëve që kanë pushtuar qytetin e Faluxhës dhe rrethinat.

Luftimet në Anbar kanë bërë që 300 mijë persona të braktisin shtëpitë, duke iu bashkuar 800 mijë refugjatëve të tjerë të ndodhur brenda vendit.

Top Channel