Britani, bie alarmi për fryrjen e lumit

17/02/2014 21:15

Agjencia e Mjedisit në Britani ka njoftuar banorët që jetojnë përgjatë brigjeve të lumit Tamiz se nuk ka më rrezik përmbytjeje.

Por megjithatë njerëzit vazhdojnë të mbeten vigjilentë, për shkak të nivelit të lartë të ujërave që do të vazhdojnë të jenë të pranishme për shkak të shirave në ardhje.

Ndërkohë, paralajmërime për dy përmbytje të tjera mbeten në fuqi për zonën Jug-Perëndim. Qeveria u ka bërë thirrje banorëve që të njoftojnë përmbytjet sa më shpejtë të jetë e mundur.

Më herët kryeministri David Cameron njoftoi ngritjen e një fondi prej 10 milionë stërlinash për të ndihmuar bizneset e dëmtuara nga përmbytjet, ndërkohë që të martën ai do t’i vizitojë personalisht ato.

Cameron vazhdon t’u bëjë thirrje bizneseve të mëdha që të ofrojnë më shumë ndihmë për tharjen e pronave të përmbytura në mbarë Mbretërinë e Bashkuar.

Shërbimi meteorologjik ka lënë ndërkohë në fuqi alarmin e verdhë “kij kujdes”, në lidhje me shirat që pritet të bien në jug-perëndim të Anglisë.

Lokalitetet Kornuell, Devon dhe Somerset përjetuan shira të dendura gjatë së hënës, ndërkohë që rreth 290 prona private janë ende pa energji elektrike në jug të Anglisë dhe në disa pjesë të Uellsit, ku energjia u ndërpre javën e kaluar.

Megjithatë, drejtues nga Agjencia e Mjedisit kanë deklaruar për BBC se rreziku i përmbytjes ka kaluar dhe se situata ka filluar të përmirësohet gradualisht.

Gjithësesi, ata nuk e përjashtojnë tërësisht mundësinë e vërshimeve të tjera për shkak të pranisë së ujërave në terren, në lokalitetet Kent, Uiltshajër, Hampshajër dhe Dorset.

Top Channel