6-vjetori i pavarësisë së Kosovës

17/02/2014 00:00

Sot mbushen 6 vite nga shpallja e pavarësisë së Kosovës. Me këtë rast, Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bujar Nishani, uroi homologen e Kosovës për 6-vjetorin e pavarësisë.

“Kam nderin që në emër të popullit shqiptar t’ju uroj për ditën e pavarësisë. Jemi gjithmonë e më shumë të angazhuar për partneritetin strategjik të marrëdhënieve Shqipëri-Kosovë”, lexohet në urimin e presidentit shqiptar.

Të shumta kanë qenë zhvillimet politike, si në aspektin e politikës së brendshme, ashtu dhe në atë të jashtme për shtetin më të ri në Evropë. Kosova, në gjashtë vite shtet, ndërroi katër presidentë, por qytetarët, në dy palë zgjedhje parlamentare nuk e kanë ndërruar kurrë kryeministrin Hashim Thaçi.

Dialogu politik me Serbinë, në të cilin po diskutohet fati i veriut të Kosovës, mbetet temë aktuale, që pashmangshëm shoqëroi jo vetëm bartësit e institucioneve, por edhe aktorë të tjerë të shoqërisë, pa përjashtim. Ndërkohë, 106 shtete e kanë njohur deri tani Kosovën si shtet të pavarur.

Top Channel