Vullkani, rihapen aeroportet në Java

15/02/2014 00:00

Disa aeroporte janë rihapur në ishullin indonezian të Javës, pas mbylljes një ditë më parë për shkak të shpërthimit vullkanik që mori 3 jetë njerëzish dhe detyroi evakuimin e dhjetëra mijëra të tjerëve.

Cilësia e ajrit në zonë konsiderohet e përmirësuar mjaftueshëm, edhe pse qytete e fshatra të tjera vazhdojnë të mbeten të mbuluara nga shtresa pluhuri e hiri.

Shumë nga të shpërngulurit po qëndrojnë në tenda të përkohshme, pa ilace e me mungesa të mëdha shtrojesh, raportojnë mediat ndërkombëtare në edicionet e tyre online.

Vullkani i malit Kelud në lindje të Javës shpërtheu të premten pasi kishte javë të tëra që gjëmonte. Zyrtarët thanë se nuk prisnin aktivitet të mëtejshëm vullkanik dhe gjendja po shkon drejt qetësimit.

Shpërthimi i fundit ndodhi në vitin 1999 dhe shkaktoi vdekjen e dhjetëra personave. Më parë, të paktën 5.000 persona humbën jetën pas një shpërthimi të fuqishëm në vitin 1919.

Në Indonezi ndodhen rreth 130 vullkane aktive. Në fillim të këtij muaji, mali Sinabug, në ishullin e Sumatrës shpërtheu dhe shkaktoi të paktën 14 viktima.

Top Channel