Ukraina, Lavrov sulmon BE-në

15/02/2014 00:00

Kritika, të shoqëruara edhe me një paralajmërim: Mos ndërhyni në krizën e Ukrainës! Lëreni t’i zgjidhë vetë çështjet e brendshme të saj.

Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, ishte mjaft i drejtpërdrejtë në komentet e tij ndaj qëndrimit, që Bashkimi Europian po mban në lidhje me trazirat politike të këtij vendi.

BE-ja, tha kryediplomati rus, është duke u përpjekur të krijojë një “sferë ndikimi”, përmes presionit ndaj Kievit, për të zgjedhur si partner Bashkimin Europian në vend të Moskës.

Gjatë një konference të përbashkët shtypi me homologun gjerman, Frank-Walter Steinmeier, Lavrov përcolli bindjen e Rusisë se ukrainasit duhet ta gjejnë vetë një rrugëdalje nga ngërçi i krijuar.

“Partnerët tanë europianë thonë se Ukrainës duhet t’i jepet mundësia për të bërë një zgjedhje të lirë në favor të integrimit europian. Pra, kur flasim për lirinë e zgjedhjes, ne ndoshta duhet të jemi të sinqertë dhe të mos imponojmë me veprimet tona alternativat, duke pretenduar se ato janë të lira”, tha Lavrov.

Ministri i Jashtëm rus tha se situata është “e qartë” dhe se retorika diplomatike nuk mund ta fshehë këtë fakt.

Steinmeier duket se ndau të njëjtin mendim sa i takon faktit, që Ukraina nuk duhet të shihet si një “lojë gjeopolitike shahu” dhe që ukrainasit duhet të lejohen ta gjejnë vetë zgjidhjen politike.

Një ditë më parë, blloku europian apeloi për krijimin e një qeverie të re në vend dhe mbajtjen e zgjedhjeve presidenciale të lira e të ndershme, por nuk përmendi mundësinë e sanksioneve ndaj Kievit.

Top Channel