Stuhia e acartë i drejtohet Kanadasë lindore

15/02/2014 00:00

Një superstuhi dëbore që paralizoi trafikun, anuloi dhjetra fluturime dhe shkëputi energjinë elektrike në brigjet lindore të SHBA-ve, është drejtuar drejt lindjes së Kanadasë.

Rreth 60 cm dëborë pritet të bjerë në disa zona deri mbrëmjen e së premtes, të shoqëruara me erëra të fuqishme, nga Quebec deri në Newfoundland.

Autoritetet mbyllën një seksion prej 200 km të autostradës Trans-Kanadeze në Quebec. Stuhia ka shkaktuar me dhjetra të vdekur.

Në SHBA, rreth 450 mijë njerëz dhe biznese mbetën pa energji elektrike në shtetet jugore, gjatë së premtes, disa prej të cilave për të tretën ditë radhazi, pasi stuhia shkatërroi linjat e energjisë dhe rrëzoi pemët.

Moti i keq duket se po drejtohet më në veri, e megjithatë duket mjaftueshëm i ftohtë sa të sjellë rreth 30 cm dëborë në disa zona të Quebec dhe pjesë të Newfoundland, të premtem, ndërkohë që erërat e forta priten të shkojnë mbi 60 m/s (95 km/h).

Pjesë të tjera të provincave lindore dhe Nova Scotia janë prekur nga reshje të dendura shiu, nga e njëjta stuhi.

Në Quebec-un lindor, disa autostrada, përfshi atë Trans-Kanada, nga qyteti i Quebec deri në Riviere-du-Loup, u mbyllën pjesërisht pasi dëbora dhe erërat e forta penguan shikueshmërinë dhe rritën rrezikshmërinë për aksidente.

Zyrtarë të parashikimit të motit në Kanada kanë lëshuar paralajmërime për stuhinë dimërore, teksa një tjetër sistem dimëror pritet të sjellë mot të rënduar në provincat pranë Atlantikut, duke nisur nga e shtuna dhe e diela.

Stuhia e acartë preku fillimisht SHBA-të, që nga dita e mërkurë, duke shkaktuar kaos në trafik, duke mbyllur shkolla e biznese, duke lënë pjesë të tëra të vendit pa energji dhe duke shkaktuar disa viktima.

Top Channel