SHBA, udhëzim bankave për depozitat nga kanabis

15/02/2014 00:00

Qeveria amerikanë ka ofruar udhëzime për bankat, të cilat duan të pranojnë depozita nga shitësit e marijuanës, duke ulur rrezikun për ndjekje penale ndaj tyre.

Lëvizja ka për qëllim t’u mundësojë shitësve të kanabisit, në shtetet ku tregtia e marijuanës është ligjore apo për qëllime mjekësore, të kenë akses në shërbimet bankare.

Aktualisht, shitësit bëjnë marrëveshje tërësisht në parà “cash”, duke rritur rrezikun për pengmarrje dhe lehtësinë për pastrim parash.

Shtetet e Kolorados dhe Uashingtonit votuan në vitin 2012 për legalizimin e kanabisit. Shtete të tjera priten të votojnë në të ardhmen në këtë aspekt.

“Shpresojmë që udhëzimet e sotme t’u japin bankave rehatinë e nevojshme për të nisur bërjen e biznesit me industrinë ligjore të marijuanës në Kolorado”, tha Michael Elliott, drejtor ekzekutiv i Grupit të Industrisë së Marijuanës, një organizatë tregtare, përmes një deklarate.

Këto ndryshime përtej Uashingtonit reflektojnë edhe njëherë kthesën e qëndrimeve politike ndaj drogave. Deri më tani, bankat e siguruara nga shteti federal, të cilat pranonin depozita nga të ardhurat e shitjes së marijuanës, rrezikonin të përballeshin me akuza për mashtrim për drogat.

Udhëzimi i ri nga Departamenti i Drejtësisë dhe Rrjeti i Ekzekutimit për Krimet Financiare (FinCEN), një zyrë e Departamentit të Thesarit, nuk ofron imunitet ndaj bankave, të cilat duan të punojnë me bizneset e marijuanës.

Por, udhëzimi tregon se ndjekjet penale nuk do të aplikohen, nëse institucionet financiare do t’u përmbahen kushteve specifike, përfshi një kërkesë ku raportojnë “veprimtarinë e mundshme kriminale” përpara zbatuesve të ligjit.

Ky udhëzim synon gjithashtu të promovojë transparencë financiare në një industri, e cila prej kohësh ka operuar në errësirë.

Top Channel