Emrat e mundshëm të qeverisë së re italiane

14/02/2014 08:25

Në fjalën e mbajtur gjatë mbledhjes së të enjtes, në të cilën u
konfirmua mocioni i mosbesimit ndaj Enrico Lettas, Matteo Renzi bëri të qartë se ai
nuk do të vijë i vetëm në qeverisje, por së bashku me një kabinet të ri
që do ta ndihmojë në punën e tij.

E ndërsa në mediat italiane qarkullojnë mbi 50 emra, si ministra potencialë, lideri i PD-së ka bërë të qartë që ai do të bazohet në një kabinet të kufizuar në vetëm 12-13 ministra.

Sipas të përditshmes “Il Corriere della Sera”, qeveria e re do të jetë e gatshme brenda shtatë ditësh, por nuk është surprizë që Renzi tashmë të ketë të gati listën me emrat.

I vetmi i konfirmuar, në pozicionin e zëvendëskryeministrit duket se do të jetë Angelino Alfano. Një prej figurave në rritje të Partisë Demokratike, Graziano Delrio jepet si favor për të marrë Ministrinë e Brendshme.

Poltrona më e nxehtë është ajo e Ministrisë së Ekonomisë. Ministri i shumëkritikuar Fabriozio Saccomani do të duhet të bëjë valixhet dhe në vend të tij mund të mbërrijë Lucrezia Reichlin.
Megjithatë, Renzi duhet të ketë parasysh se në llogaritë e tij duhet të përfshijë edhe aleatët.

Sipas “Il Corriere”, Partia Demokratike do të kontrollojë pesë ministri kyçe, dy do të kalojnë tek e djathta e qendrës së djathtë së Berlusconit, një për Zgjedhjen Civile dhe Popullore të Mario Montit, ndërsa kabineti do të kompletohet nga personalitete teknike ose gjithsesi jopolitike.

Top Channel