Venezuelë, protesta antiqeveritare, 4 viktima

13/02/2014 00:00

Të paktën 4 persona kanë vdekur, përfshi një oficer policie, pasi mijëra venezuelianë kundërshtarë të presidentit Nicolas Maduro zbritën rrugëve të Karakasit, në vazhdën e protestave 2-javore antiqeveritare anembanë vendit.

Shkëmbim zjarri ka pasur në qendër të kryeqytetit, kur pjesëtarë të armatosur të grupeve vigjilente pro-qeveritare mbërritën me motorra dhe nisën të gjuanin ndaj më shumë se 100 studentëve protestues anti-Maduro, të cilët u përplasën edhe me forcat e sigurisë, raporton agjencia e lajmeve AP.

Ndërkohë që turma po largohej nga paniku, një demonstrues u rrëzua përtokë me një plagë plumbi në kokë. Dëshmitarët nisën të bërtisnin “vrasës”, teksa vrapuan për të studenti 24-vjeçar, i identifikuar më vonë nga familjarët e tij si Bazil D’Acosta, në një mjet të policisë.

I vrarë mbeti edhe lideri i kolektivit pro-qeveritar të 23 Janarit, teksa në kundërprotestë u ngritën edhe mbështetësit e qeverisë.

Presidenti i Asamblesë Kombëtare, Diosdado Cabello, tha se “revolucioni” i njohur me pseudonimin Juancho “u vra në mënyrë të turpshme nga fashistët”, por nuk dha detaje të mëtejshme.

Luisa Ortega, prokurorja e Përgjithshme e vendit, tha se oficeri i policisë ndërroi jetë gjatë dhunës në rrugë dhe se 25 persona ishin plagosur gjithashtu.

Kryebashkiaku i Distriktit Chacao, në Karakasin lindor, tha se një person i katërt ishte konfirmuar gjithashtu i vdekur.

Protesta e së mërkurës, e organizuar nga studentë dhe anëtarë të vijës së ashpër të opozitës, ishte më e madhja me të cilën është përballur Maduro, që prej zgjedhjes së tij president prej thuajse 1 viti, pas vdekjes së “mësuesit” të tij, Hugo Chavez.

Top Channel