Sulm bastionit të kryengritësve

13/02/2014 16:00

Qeveria siriane rinisi bombardimin e qytetit të Yabrudit, një prej bastioneve të fundit të kryengritësve në vargmalet Qalamoun, në veriperëndim të Damaskut. Lajmi u konfirmua të enjten nga mediat ndërkombëtare.

Avionë ushtarakë janë duke realizuar bombardime sistematike nga ajri, ndërsa artileria vazhdon një bombardim të pandërprerë nga toka që prej ditës së mërkurë. Banorët e mbetur të Yabrudit po largohen në masë drejt kufirit libanez, duke qenë të frikësuar nga mundësia e një mësymje frontale.

Disa dhjetëra civilë besohet të kenë mbetur viktimë të këtyre bombardimeve, që godasin shpesh blloqe banimi në vend të fortifikimeve që kryengritësit kanë ngritur në qendrën urbane.

Konferenca e Paqes në Janar, jo vetëm që nuk solli një paqësim të gjendje në Siri, por duket se palët po rrisin intensitetin e luftimeve, me qëllim që të fitojnë terren, përpara një raundi të dytë të programuar bisedimesh.

Lufta Civile Siriane, e nisur në Mars 2011, i ka kushtuar jetën të paktën 130 mijë shtetave, sipas të dhënave të “Human Rights Watch”, ndërsa mbi nëntë milionë në një popullsi të përgjithshme prej 22 milionësh janë shndërruar në refugjatë në vendet fqinje apo të pastrehë brenda vendit.

Top Channel