SHBA, rritet tavani i borxhit

13/02/2014 00:00

Kongresi Amerikan miraton rritjen e nivelit tavan të borxhit. Një ditë
pas miratimit në Dhomën e Përfaqësuesve, Senati ne SHBA miratoi me 55
vota pro dhe 43 kundër, masën për rritjen e nivelit të borxhit për të
shmangur rrezikun e mosshlyerjes së detyrimeve financiare, të cilat do
të sillnin pasoja të rënda për ekonominë e vendit.

Kane mbetur gati 10 ditë deri në momentin kur Administrata Amerikane nuk do të ishte më në gjendje të paguante këstet e borxhit.Një përplasje tjetër fiskale u shmang, pasi republikanët hoqën dorë nga kërkesat e tyre për lëshime, në shkëmbim të rritjes së nivelit tavan të borxhit, si dhe miratimin e një projekti për tubacionin e naftës nga Kanadaja, i cili ngjalli shumë kritika.

Më në fund, Dhoma e Përfaqësuesve e drejtuar nga Republikanët miratoi një masë pa kushte, kryesisht me votat e demokrateve. Ndërsa në Senatin e udhehequr nga demokratet u miratua pa votat republikane. Rritja e nivelit tavan të borxhit i jep autoritet Departamentit të Thesarit të marrë borxh,  gjë që krijon mundesi per qeverinë amerikane per te paguar detyrimet financiare deri në fillim të vitit të ardhshëm.

Senatorët republikanë ankohen se, megjithëse rreziku i mospagimit të detyrimeve financiare është shmangur, ende mbetet pa zgjidhje problemi i deficitit fiskal të vendit. Borxhi kombëtar ka arritur në 17 trilionë dollarë. Deficiti federal është reduktuar në masën 50 për qind gjatë viteve të fundit, si rezultat edhe ritmet e rritjes së borxhit janë ngadalësuar. Në mungesë të reformave fiskale, deficiti pritet të rritet prej vitit 2016, gjë që do të bënte të nevojshme ne te ardhmen, rritje të tjera të nivelit tavan të borxhit.

Top Channel