Bisedimet për ribashkimin e Qipros

11/02/2014 18:15

Liderat e qipriotëve turq dhe grekë duan t’i japin fund ndarjes së ishullit sa më shpejt të jetë e mundur.

Kështu tha presidenti i Republikës së Qipros me shumicë dërrmuese grekësh, Nicos Anastasiades dhe homologu i tij turk, Dervis Erogluy, në rifillimin e bisedimeve të bashkimit në kryeqytetin Nikosia.

Raundi i mëparshëm i bisedimeve kishte mbetur i ngrirë që prej mesit të 2012-s.

Duke folur në një takim një-orësh, të dy liderat ranë dakord se “status-quo” e tanishme e ishullit është e papranueshme dhe se do të ishte në të mirën e secilës palë që të gjendej një marrëveshje për ribashkimin.

Qipro u nda në vitin 1974 pas një grushti shteti që synonte bashkimin e ishullit me Greqinë. Kjo shkaktoi ndërhyrjen e Turqisë që pushtoi pjesën veriore të ishullit, të banuar me turq.

Zona e banuar nga turqit shpalli pavarësinë me emrin Republika Turke e Qipros Veriore në vitin 1983. Pavarësia njihet vetëm nga Turqia.

Mes dy zonave asaj greke dhe asaj turke qendron zona jeshile e Kombeve të Bashkuara, që ndan dy sektorët.

Top Channel