Rritja e kredive të këqija

05/02/2014 00:00

Zef Preçi, i Qendrës Shqiptare për kërkime ekonomike thotë se rritja e
shpejtë e kredive të këqija përveç krizës ekonomike reflekton edhe
korrupsionin masiv në sistemin bankar.

“Thelbësor në rritjen e peshës së kredive të këqija mbetet përzgjedhja e keqe e klientit dhe mbartja e rriskut tek klientit. Duhet të pranojnë që korrupsionit është prezent, jo vetëm në sektorin publik, por edhe në atë privat. Mjafton të shikoni likujdimin e kolateraleve, të shikoni se si grupe individësh që disponojnë para me origjinë të dyshimtë janë angazhuar në blerjen e tyre, mjafton të shikoni se si nëpunës, menaxherë të rëndësishëm të bankave private arrijnë të posedojnë ato pasuri që i kalojnë bankës deri në 40 për qind të vlerës fillestare”, tha Preçi.

Zoti Preçi thotë se sistemi është i mbyllur edhe me bekimin e vetë autoriteteve dhe është i interesuar të ruajë statuskuonë.

“Mendoj se ka patur një politikë të shtrënguar nga Banka Qendrore, që më shumë është kujdesur për aksionerët e bankave, për garantimin e mbijetesës së tyre në një treg ku më shumë ndahet se sa konkurrohet. Shqipëria prej katër vitesh ka vetem dy apo tre banka që japin kredi në kushte shumë të shtrënguara dhe që shtrëngohen nga një vit në tjetrin, ndërsa bankat e tjera vazhdojnë të funksionojnë duke u mbështetur në kostot e fshehta që i imponohen në mënyrë të padrejtë, abuzive do të thosha, konsumatorit, klientit”, sqaron Preçi.

Sipas tij, zgjidhja për të dalë nga kjo situatë është hapja e tregut, çka do të bënte që ato banka që abuzojnë të përballen me kostot.

“Bankat janë biznes dhe janë me një funksion të rëndësishëm zhvillimor. Nuk është fundi i botës të pranohet falimentimi apo bashkimi i bankave, likuidimi i bankave, blerja apo shitblerja e tyre”, tha Preçi.

Në fund të shtatorit të një viti më parë kreditë e këqija arritën sipas të dhënave zyrtare 24.3 për qind të totalit. Por një vrojtim i ‘Deloitte’ thotë se shifra mund të jetë edhe më e madhe.   

Kreditimi ende në krizë

Bankat parashikojnë se kriza e kredive do të vazhdojë të paktën edhe në tremujorin e parë të këtij viti. Vrojtimi i fundit i Bankës së Shqipërisë del në përfundimin se kërkesa e bizneseve, por edhe individëve për kredi do vazhdojë të mbetet e vakët edhe në muajt e parë të këtij viti.

Përkatësisht bankat parashikojnë një rritje të lehtë të kredive në lekë, por në të njëtën kohë presin rënie të huave në monedhë të huaj. Vrojtimi thotë se kriza e kredive pasqyron goditje në të dy kahët e saj, si nga kërkesa ashtu edhe nga kahu i ofertës.

Sipas tij, në tremujorin e fundit të vitit të kaluar, bankat kanë vazhduar të shtrëngojnë dhënien e huave të reja, ndërsa në të njëtën kohë  biznesi dhe individët kanë ulur kërkesën.

Shqipëria hyri zyrtarisht në krizë kredie në fillim të vitit të kaluar kur bankat private nisën të ulnin ekspozimin në ekonominë e brendshme. Në nëntor stoku i kredisë për ekonominë ishte 2.4 për qind më i ulët se një vit më parë, duke qenë një nga shkaktarët kryesorë të ngadalësimit të fortë të rritjes ekonomike. Pritshmëritë negative të vetë bankave edhe për tremujorin e parë zbehin shpresat për një rigjallërim të shpejtë të ekonomisë, e cila që nga fillimi i 2012-ës ka hyrë në një fazë të dytë ngadalësimi, me normat minimale rritje. 
  

Top Channel