70-vjetori i masakrës së 4 shkurtit

04/02/2014 00:00

Është përkujtuar të martën në ambientet e Muzeut Kombëtar, 70-vjetori i
masakrës së 4 shkurtit të vitit 1944 në Tiranë, ku nazistët të ndihmuar
nga ballistët vranë brenda një nate 84 njerëz.

I pranishëm në këtë ceremoni, Kryetari i Kuvendit Ilir Meta u shpreh se kjo ditë duhet të shërbejë si një moment reflektimi për të rivlerësuar historinë, rolin që kanë luajtur dëshmorët dhe martirët e Luftës Nacional-Çlirimtare.

“Sot është një ditë homazhi për 84 martirët e 4 shkurtit, por edhe ditë reflektimi për ne. Është koha që në të reflektojmë dhe të rivlerësojmë vlerat e Luftën Nacional Çlirimtare. Sot jemi këtu për të rivlerësuar historinë nga cenimet që i janë bërë”, tha Meta.

Meta kërkoi gjithashtu që edhe në kuadër të një përvjetori i të rëndësishëm të çlirimit të vendit siç është 70-vjetori, që kremtohet këtë vit, të vihet në vend dinjiteti i kësaj lufte përmes restaurimit të monumenteve të ndryshme si dhe rikthimin e emrit “Dëshmorët e 4 shkurtit” për një rrugë në Tiranë duke qenë se tashmë ajo është hequr.

“Ne sot ndiejmë keqardhje për akte të pafalshme që kanë ndodhur, siç edhe heqja e emrit të rrugës ‘Dëshmorët e 4 shkurtit’ dhe është momenti për të bërë një rivlerësim, për të vendosur drejtësinë. Ndaj dhe shpreh kënaqësinë që sot ndodhet këtu edhe prefekti Vorpsi dhe kreu i këshillit bashkiak Dalipi dhe shpresojmë që shumë shpejt të gjendet një zgjidhje, të kemi një memorial ku të jenë shkruar emrat e 84 martirëve të 4 shkurtit”, tha Meta.

Nga ana e tij, historiani Paskal Milo theksoi se masakra e 4 shkurtit duhet të na shërbejë për ta parë historinë ashtu siç është dhe për të shmangur shtrembërimet me natyrë politikë. Sipas Milos nuk duhet të kemi frikë të përmendim emrat e njerëzve të cilët ndihmuan nazistët të kryenin këtë masakër, edhe pse ata ishin shqiptarë nga Mitrovica apo tiranas të vjetër, ashtu siç nuk duhet të kemi frike te vleresojme kontributin e Enver Hoxhes ne Luften Nacional-Çlirimtare, por edhe te denojme gabimet dhe krimet qe ai ka kryer.

Top Channel