Pakistani, lobim për Kosovën

03/02/2014 00:00

Senatori Mushaid Hussain Sayed, i cili drejton komisionin e sigurisë kombëtare në Senatin e Pakistanit, ndodhet për një vizitë disaditore në Tiranë. Në një intervistë për Top-Channel ai shpjegon se çfarë synon të arrijë nëpërmjet takimeve me zyrtarët më të lartë në Shqipëri.

“Jam këtu në këtë vizitë për të forcuar marëdhëniet mes Pakistanit dhe Parlamentit shqiptar, në sferat politike, ato të sigurisë në kontekstin parlamentar. Marrëdhëniet mes dy vendeve tona janë shumë të mira.

Ne kemi kërkuar krijimin e një grupi parlamentar miqësie Shqipëri-Pakistan, pasi ndajmë një demokraci dinamike. Një tjetër aspekt që ne dëshirojmë ta çojmë më përpara është ai politik. Shqipëria është i vetmi vend në Europë anëtar i Konferencës Islamike.

Njëkohësisht Shqipëria ka 400 trupa në Afganisatan, shtetin fqinj me ne. Kjo do të thotë se Shqipëria ka një rol poltik të gjerë edhe jashtë Europës. Gjithashtu edhe bashkëpunimi ekonomik merr një rëndësi të posaçme.

Të dyja vendet tona kanë më shumë se 50 vjet marrëdhënie diplomatike. Ne i jemi shumë mirë mirnjohës Shqipërisë për ndihmën e dhenë Pakistanit në çështje kyçe, siç ishte ajo për Kashmirin, pasi të dy vendet tona ndodhen në rajone të vështira”, deklaron Sayed.

Pakistani ishte ndër vendet e para që njohu pavarësinë e Kosovës. Senatori Sayed thotë se vendi i tij do të vijojë së lobuari në Konferencën Islamike në mënyrë që ato vende anëtare që nuk e kanë njohur ende pavarësinë e Kosovës të ndjekin shembullin e Pakistanit.

“Fatkeqësisht ekzistojnë paqartësi rreth situatës, por me iniciativën e Pakistanit, që e ka njohur pavarësinë e Kosovës dhe është një lider i botës myslimane, ne shpresojmë se të tjera vende do të ndjekin shembullin tonë. Parlamenti i Pakistanit qëndron në krah të Kosovës dhe ndihma jonë nuk do të mungojë përsa i përket nxitjes së vendeve të tjera për ta njohur atë si shtete”, nënvizon Sayed. Serinë e takimeve në Tiranë senatori Sayed e nisi me kryetarin e Parlamentit, Ilir Meta.

Top Channel