Nobel për bisedimet Kosovë-Serbi

03/02/2014 00:00

Në cilësinë e kryetarit të Partisë Socialiste, Edi Rama, i ka nisur një
letër të gjithë kryetarëve të partive parlamentare, ku i fton të
mbështesin kandidaturat e Kryeministrit Hashim Thaçi, atij serb Ivica
Daciç dhe baroneshës Catherine Ashton për të marrë çmimin Nobel për
paqen.

Në këtë letër siguruar prej Top Channel, Rama thotë se “përgjatë një procesi sa të domosdoshëm për të ardhmen aq edhe të vështirë për të shkuarën, Kryeministri i Kosovës tregoi largpamësi të guximshme dhe vendosshmëri të madhe, në dobi të interesit të lartë kombëtar, po edhe në dobi të një bote më të mirë.

‘Prandaj, – shkruan Rama, – për këtë kontribut kaq të rëndësishëm për krejt Europën Juglindore, të bashkojmë edhe ne zërin tonë me promovuesit e kësaj ideje’.

E që kjo të bëhet realitet, kryesocialisti Rama propozon ngritjen e një grupi të përbashkët deputetësh të të gjitha grupeve parlamentare për hartimin e letrës së Kuvendit të Shqipërisë, drejtuar kryetarit të komitetit të çmimit Nobel, Thorbjorn Jagland në mbështetje të kanidaturës së protagonisteve per bisedimet Kosove-Serbi.

Por jo vetëm kaq, Rama propozon gjithashtu të kërkuarit mbështetje grupeve respektive në Parlamentin Europian, në asambletë parlamentare të Këshillit të Europës, OSBE-së e me radhë organizatave të tjera, me të cilat partitë shqiptare bashkëpunojnë, për t’u shprehur në favor të nismës që promovon si kandidaturë për Nobelin për Paqen, protagonistët e marrveshjes së aritur mes Kosovës e Serbisë.

Një javë më parë grupi parlamentar i Aleancës Progresive të socialisteve dhe demokrateve në Parlamentin Europian i drejtoi një letër kreut të Komitetit të çmimit Nobel, Torbjorn Jagland ku propozonte kryeministrat Thaçi e Daçiç përfshi Ashton  për çmimin Nobel për Paqen 2014.

Sipas këtij grupi, “nuk është thjesht një shpërblim për progresin e arritur, por edhe një motivim, mundësisht si shtysa e fundit që nevojitet për paqen afatgjatë”.  Madje, duke shkuar me tej, anëtarët e grupit thonë se thelbi i qëllimit të Afred Nobelit, për t’ia dorëzuar çmimin personave që do të bënim maksimumin apo punën më të mirë për vllazërinë mes vendeve, me të drejtë do të respektohej.

Top Channel