2013, rritja ekonomike bie sërish

31/01/2014 00:00

Qeveria ka përgjysmuar sërish vlerësimin zyrtar për rritjen ekonomike të
vitit 2013, duke e zbritur atë në nivelin më të ulët historik.

Në kuadrin e ri makro-ekonomik 2015-2017, që u miratua një ditë më parë, Ministria e Financave vlerëson se rritja ekonomike ka zbritur vitin e kaluar në nivelin minimal 0.7 për qind. Kjo është hera e tretë brenda pak muajsh kur Qeveria e majtë korrekton në ulje shifrën zyrtare të rritjes ekonomike për 2013-n.

Në shtator, kur sapo kishte ardhur në pushtet, së bashku me Fondin Monetar Ndërkombëtar, ajo vlerësonte se Prodhimi Kombëtar do të rritej nga 1.7 në 1.9 për qind. Por ky parashikim u rrëzua vetëm pak muaj më vonë dhe varianti i ri zyrtar u ul në 1.3 për qind.

Sinjalet e para se edhe ky vlerësim do të binte erdhën kur Instituti i Statistikave publikoi shifrat e tremujorit të tretë, që treguan një kontraktim të fortë të ekonomisë me 2.3 për qind, në terma vjetorë.

Kjo e ka detyruar Qeverinë që ta ulë sërish vlerësimin për rritjen ekonomike, tashmë në 0.7 për qind, duke qenë kështu më e ulëta jo vetëm që nga fillimi i krizës, por për gjithë periudhën e tranzicionit përveç vitit 1997.

Paralelisht me këtë vlerësim, Shqipëria shndërrohet zyrtarisht në ekonominë me rritjen më të ulët në Ballkan, kur vendet e tjera vlerësohen se kanë patur një rritje mesatare prej 1.7 për qind. Ndërkombëtarët kishin parlajmëruar që në fillim se 2013-a do ishte një vit i vështirë për ekonominë shqiptare.

Por ngadalësimi në këto nivele, si asnjëherë më parë i tejkalon edhe skenarët më konservatorë si të Bankës Botërore ashtu dhe të Fondit Monetar, të cilët e vlerësonin rritjen ekonomike të Shqipërisë rreth nivelit 1.5 për qind. 

Qeveria shpreson se 2013-a, shënon dhe fundin e rrokullisjes së Shqipërisë drejt stanjacionit të plotë ekonomik. Për këtë vit ajo pret që ekonomia të fillojë ringritjen, duke vlerësuar se Prodhimi Kombëtar do të rritet me 2.1 për qind, për t’u përshpejtuar më pas në 2015 dhe 2016 përkatësisht me 3.3 dhe 4.2 për qind.

Top Channel