Reforma territoriale, palët larg ujdisë

30/01/2014 00:00

Maxhoranca ftoi edhe njëherë tjetër opozitën për të dhënë kontributin e saj në përgatitjen e reformës administrativo-territoriale, por edhe njëherë ftesa, këtë herë e bërë nga kreu i Kuvendit, Ilir Meta, u refuzua nga opozita.

“Është koha të realizojmë disa reforma së bashku. Është koha që të bëjmë reformën administrative dhe territoriale në vend. Ky është synim i qeverisë, ishte objektiv i qeverisë së djeshme që donte ta bënte, por nuk kishte votat. Ndaj sot janë mundësitë. Maxhoranca e re është e angazhuar për këtë reformë dhe që opozita të ketë të gjithë hapësirën e nevojshme duke nisur që nga ngritja e një komisioni me anëtarësi të barabartë, me bashkëkryetarë dhe me të drejtën e vetos. 80 milion dollarë do të kursente Shqipëria nga reforma administrative dhe territoriale”, tha Meta.

Menjëherë pas fjalës së kreut të LSI-së reagoi ish-kryeministri, Sali Berisha. Në fjalën e tij, ish-kreu i qeverisë dhe i Partisë Demokratike e cilësoi ftesën e maxhorancës së të pasinqertë dhe në funksion të zgjedhjeve të ardhshme për pushtetin vendor.

“Ftesa juaj është e pasinqertë sepse komisionet bipartizane kanë funksionuar jo vetëm me të drejtë vetoje. Ju sot kërkoni konsensus për një parafabrikat që po përgatitni për zgjedhjet e ardhshme. Ju s’e keni hallin tek qytetarët, për ju qytetari nuk ekziston”, tha Berisha.

Refuzimi i demokratëve ishte paralajmëruar me herët nga kreu i tyre, Lulzim Basha. Kreu i opozitës, njëkohësisht kryetar i Bashkisë së Tiranës ka mbyllur shtigjet për kompromis me mazhorancën për reformën territoriale, nëse nuk do të zhvillohen konsulta publike.

Asnjë komunë, tha ai sado e largët, nuk do të mund të tjetërsohet pa u dëgjuar edhe zëri i qytetarëve.

“Reforma territoriale, që është njëkohësisht reformë elektorale dhe reformë e pushtetit vendor nuk mund të hedhë asnjë hap legjitim përpara pa rivendosur konsensusin e plotë në çdo hap të vendimmarrjes midis maxhorancës dhe opozitës. Jo vetëm konsensusi me opozitën, por konsensusi i gjerë qytetar, përmes konsultimit, transparencës, gjithëpërfshirjes dhe llogaridhënies, është kusht i domosdoshëm kushtetues”, tha Basha.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA