Në përkujtim të Holokaustit

27/01/2014 00:00

“Shqipëria është i vetmi vend në Europë që doli nga Lufta e Dytë Botërore me më shumë qytetarë hebrej, të cilët nga 200 arritën në 20 mijë”.

Kjo statistikë e publikuar në një dokumentar vetëm rikonfirmon një nga meritat e njohura gjerësisht në botë të popullit shqiptar, mbrojtjen e hebrejve nga përndjekja dhe persekutimi nazist gjatë Luftës së Dytë Botërore.

“Ajnshtajni kaloi nëpër Shqipëri tre ditë, mori pasaportë shqiptare dhe u largua në botën e lirë”, thotë mes të tjerash dokumentari.

Nëse ka sot një vlerë të madhe që e fut Shqipërinë e vogël në historinë e lavdishme është hapja e shtëpive të shqiptarëve për një popull gjeografikisht larg, por që s’i pengoi aspak t’i tregonte mijëra familjeve hebreje ndoshta pjesën më të mirë tonën, mikpritjen dhe besën.

Këto vlera, tha ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati në aktivitetin që dikasteri i diplomacisë organizoi për herë të parë në Ditën Ndërkombëtare të Kujtimit të Holokaustit, duhet të shërbejnë sa për të na kujtuar aq dhe për t’i kthyer ato në energji të zhvillimit tonë si komb dhe si shtet.

“Këto vlera të njohura dhe të vlerësuara duhet t’i kultivojmë më tej dhe t’i kthejmë në energji për shtetformimin dhe zhvillimin”, deklaroi Bushati.

Dëshmi të sjella në sallë nga pasardhës të hebrejve që jetën e ndërtuan këtu treguan vetëdije për mbijetesën e tyre. “Kjo ndodhi për shkak të shqiptarëve dhe Shqipërisë, këtij vendi europian”, tha një prej të pranishëmve.

Holokausti është krim unik por jo i vetëm, solli në vëmendje ministri Bushati kur tha se vetëm pak dekada pas Luftës së Dytë Botërore, spastrimet etnike në Kosovë dhe Bosnje treguan se Europa nuk kishte nxjerrë mësimet e duhura.

“Sikurse politika e mureve ndarëse vazhdon të na kujtojë se rajoni ynë, pavarësisht progresit të padiskutueshëm ndër vite, ende nuk ka arritur pikën e moskthimit dhe ankorimit përfundimtar në rrjedhat europiane”, nënvizoi Bushati.

Që prej 2005-s, 27 janari është vendosur në kalendarin e historisë ndërkombëtare si Dita Botërore kushtuar kujtimit të viktimave të Holokaustit, ku Shqipëria ka ç’të kujtojë, po aq sa ta kujtojnë hebrejtë që gjetën shtëpi këtu.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA