Laver Bariu përcillet me kaba

27/01/2014 00:00

Në qytetin e Përmetit janë zhvilluar homazhet për të përcjellë në banesën e fundit Laver Bariun.

Instrumentisti i njohur i muzikës popullore shqiptare ndërroi jetë në moshën 85-vjeçare, duke lënë pas një trashëgimi kulturore të pakrahasueshme. Homazhet në nder të tij u mbajtën në ambientet e godines multikulturore në Përmet.

Banorë të Përmetit, familjarë, muzikantë dhe artistë, por edhe deputetë e politikanë morën pjesë në këtë ceremoni në nder të ustait të muzikës përmetare.

E gjithë ceremonia është shoqëruar nga orkestra e qytetit dhe tre klarinetistët më në zë të qytetit, vijues të trashëgimisë që la pas Laver Bariu.

“Ustai më i madhe i kohëve që po jetojmë dhe një nga klarinetistët më të mëdhenj të të gjitha kohërave në Shqipëri. U fik jeta e tij, kjo të lë dhimbje dhe trishtim. Por ai ka lënë pas një trashëgimi të vyer”, thotë Aleksandër Peci.

“Duhet parë në disa dimensione, por ajo që është kryesorja dhe që përligj dhe gjithë këtë respekt popullor që po i bëhet është fakti që ai me artin e tij përcolli përmetarët nga lindja deri në vdekje dhe sot të gjithë po i kthejmë një borxh fare të vogël”, thotë muzikologu Vaso Tole.

Laver Bariu, me interpretimet e tij virtuoze ka lënë pas një trashëgimi shumë më të madhe kulturore për muziken popullore shqiptare.

Top Channel