
Ministrja e Zhvillimit Urban, Eglantina Gjermeni deklaroi se programi i kredive të buta për të strehuar familjet në nevojë u shndërrua në një skemë korruptive, që devijoi paratë në xhepat e militantëve dhe zyrtarëve të pushtetit.
“Programi i kredive të lehtësuara synonte strehimin e shtresave në nevojë. Nga ajo çka gjetëm, vërtetohet se kreditë e buta janë përdorur në mjaft raste për të mbështetur militantët dhe njerëzit me pushtet rreth Qeverisë, duke e humbur krejtësisht qëllimin për të cilin ato u ideuan”, tha Gjermeni.
E thirrur në Komisionin Parlamentar të Ekonomisë, zonja Gjermeni tha se familjet që u nxorrën nga banesat e pronarëve në fund të mandatit nga Qeveria e kaluar janë lënë në mes të rrugëve.
Ministrja përgjegjëse për strehimin deklaroi se Qeveria do i japë fund abuzimeve në këtë fushë, duke i përjashtuar zyrtarët nga përfitimi i kredive të buta, ndërkohë që po merren një sërë masash për të lehtësuar ata që janë në nevojë.
“Po punohet për gjetjen e zgjidhjeve alternative për strehimin, duke bashkëpunuar nga afër me Shoqatën e Ndërtuesve, për të mundësuar blerjen nga stoku i banesave, njësitë e qeverisjeve vendore për shpërndarjen e banesave nga Fondi i Bankës për Zhvillim të Këshillit të Europës”, tha Gjermeni.
Ministrja tha se Qeveria do rishikojë edhe legjislacionin që rregullon marrëdhëniet e strehimit, duke nisur me hartimin e dokumentit strategjik të strehimit.
Top Channel