Atentatet me bomba me celular   

27/01/2014 00:00

Ministria e Brendshme kërkon mbylljen e numrave të telefonisë celulare,
për të cilët nuk ka pronar të individualizuar, si dhe mbylljen e
menjëhershme të numrave të tepërt të regjistruar në emrin e të njëjtit
person.

Në një letër dërguar Këshillit Drejtues të Autoritetit të Komunikimeve Elektronike, ministri Tahiri adreson një shqetësim tepër serioz, lidhur me disa elementë të punës së operatorëve telefonikë celularë.

“Nga hetimet paraprake mbi disa çështje me rrezikshmëri kriminale të theksuar është evidentuar një element i përbashkët që mund të ketë lehtësuar kryerjen e veprimtarisë kriminale: numrat celularë pa pronar të identifikuar. Ky fenomen i trashëguar prej kohësh është kthyer në një problem që cenon drejtpërdrejt sigurinë kombëtare, rendin publik e mbi të gjitha jetën e qytetarëve”, thuhet në letrën e Ministrisë së Brendshme.

Kreu i rendit në vend kërkon nga AKEP zgjidhjen përfundimtare të kësaj çështjeje, duke ofruar të gjithë ekspertizën e nevojshme për të bërë ndryshimet ligjore përkatëse, që do t’i japin fund një herë e mirë tregut të paligjshëm të kartave celulare, duke përfshirë sanksione penale për të gjithë përgjegjësit, nga operatorët celularë deri te shitësit dhe blerësit e numrave celularë fantazmë.

Top Channel