Protestë për mbrojtjen e Radikës

26/01/2014 00:00

Edhe pas deklaratës publike të pesë ministrave shqiptarë e maqedonas se nuk ka një projekt konkret për hidrocentralin që do të devijonte lumin Radika në Maqedoni, një grup qytetarësh në kuadër të Aleancës për Mbrojtjen e Lumenjve, thonë se ka një projekt që pala maqedonase po e zbaton.

Ata kërkuan sërish që qeveria të jetë transparente dhe të kundërshtojë çdo projekt të tillë.

Aktivisti Vehap Kola tha: “Kërkojmë sërish që zoti Rama të pranojë që ka një projekt ashtu siç e ka shpallur Banka Botërore, qeveria maqedonase dhe mediat. Presim që kryeministri të kthejë një përgjigje zyrtare kundër planeve të tilla”.

Në protestën e tyre ata kanë theksuar se qytetarët e Dibrës dhe të Shqipërisë janë kundër këtij projekti që po harton qeveria maqedonase.

“Nëse ne nuk e ngremë zërin kundër politikës antishqiptare, ata do e marrin lumin”, thotë një qytetar dibran.

Qytetarët e Dibrës shprehen kundër këtij projekti në letër të ndërmarrë nga qeveria maqedonase, i cili nëse do të zbatohej në Shqipëri do të sillte një dëm të madh.

“Jemi kundër pasi jemi dëmtuar një herë me këtë lumë. Nuk është e drejtë kjo. Është padrejtësi ndaj popullit dibran”, thonë qytetarët.

Ekspertët kanë pohuar se nëse do të pranohej një projekt për  devijimin e rrjedhës së lumit Radika, ku një pjesë e prurjeve të përfundojë në Lumin Drini i Zi, prurjet e ujit në kaskadën hidroenergjetike të lumit Drin do të uleshin ndjeshëm.

Specialisti i mjedisit Reshat Qorrmehmeti thotë: “Rrjedha e Radikës do të thahet përgjithmonë dhe do të mbetet vetëm një shtrat lumi i thatë. E vetmja degë do të mbetej Reka e Vogël me një prurje prej 6 metër kub/sekondë mesatare vjetore”.

Ky projekt do të sillte një shkatërrim të faunës dhe florës për të gjithë rajonin.

Top Channel