
Autoritetet lokale në Dibër e konsiderojnë projekt anti-shqiptar devijimin e Radikës. Në një dalje publike me kryetarin e Bashkisë së Peshkopisë, Ilir Krosi, kryekomunari i Dibrës, Ruzhdi Lata, deklaroi se kjo që po bën qeveria maqedonase ka qëllime politike.
“Ne na dëmton shumë ky projekt. Ne dibranët kemi ardhur një herë në Tiranë në 1913-n dhe mesa duket, duhet të nisemi prapë për Tiranë. Nëse na merret uji duhet të shpërngulemi pasi nuk kemi më se çfarë të bëjmë. Nuk e pranojmë këtë projekt”, tha Lata.
Kryetari i Bashkisë së Peshkopisë, Ilir Krosi, tha se kjo lëvizje mund të quhet provokim, ndërkohë që deklaroi mbështetje për shqiptarët e Maqedonisë: “Në aspektin ligjor, këto janë çështje të karakterit ndërkombëtar të cilat kanë marrëveshje strikte që nuk mund të shkelen. Ai që tenton t’i shkelë këto marrëveshje, provokon dhe ai që provokon duhet të marrë në konsideratë që do të ketë një reagim. Ne nuk do të shkojmë në pikën e fundit, por Bashkia e Peshkopisë do të ngrejë zërin përditë dhe do të mbështesë protestat.”
Top Channel