Deputeti demokrat Arben Ristani deklaroi se situata e rendit në Shqipëri
është e keqe dhe akuzoi Kryeministrin dhe ministrin e Brendshëm se nuk
po bëjnë asgjë për të parandaluar krimin, vjedhjet, aksidentet dhe
sulmet e ndryshme.

“Vetëm në ditët e para të janarit janë regjistruar 12 vrasje, 153 aksidente me pasojë vdekjen e 14 personave, 18 raste sulmesh me eksploziv, grabitje me maska, vjedhje të banesave, sekuestrim i drogës që del nga Shqipëria në vendet fqinje në një masë të madhe. Një biznesmen nga Durrësi ndërroi jetë si pasojë e një sulmi me eksploziv, ndërsa kryetari i komunës Qendër në Vlorë po lufton me vdekjen”, tha Ristani.

Sipas tij, Kryeministri dhe ministri i Brendshëm me anë të mashtrimit dhe cinizmit po gjejnë shpëtim për paaftësinë e tyre.

“Qytetarët kërkojnë zgjidhje për ta rikthyer vendin në një vend normal. Opozita është ajo që sot do të denoncojë vazhdimisht dhe do të jetë zëri i revoltës popullore për gjendjen e pasigurisë në vend”, tha Ristani.

Top Channel