Ministri i Mirëqënies Sociale, Erion Veliaj tha se abuzimet me skemën e
ndihmës ekonomike dhe të paaftësisë kanë shënuar kulmin në muajin maj në
Bashkinë e Kamzës, ku mijëra vetë kanë përfituar në mënyrë abuzive nga
skema.

Pas denoncimit të abuzimeve me skemën e ndihmës në emisionin “Fiks Fare” në Top Channel, zoti Veliaj tha se për kreun e Bashkisë së Kamzës, Xhemal Mziu do të rëndojnë të tjera akuza.

“Ajo që tregoi ‘Fiks Fare’ ishte pjesa therëse e një situate, ku njerëzit me gojën e tyre pranojnë që kanë investuar në biznese, pranojnë që kanë një lokal, një aktivitet tregtar dhe që pranojnë që marrin ndihmë ekonomike. Kjo është e papranueshme. Javës tjetër ne do të kemi një megadenoncim në Prokurori edhe si përgjigje ndaj investigimit të ‘Fiks Fare’, por edhe të autiditit që ka gjetur mijëra abuzime në Kamëz. Në disa raste ka qenë abuzimi i Këshillit Bashkiak, në disa raste ka qenë urdhëri i kryetarit të Bashkisë dhe ajo që kemi parë që në periudhën parazgjedhore në muajin maj është rritur lista për përfituesit e ndihmës ekonomike me disa mijëra”, tha Veliaj.

Vetëm në Bashkinë e Kamzës janë regjistruar mijëra persona të cilët kanë prona dhe kanë të ardhura të larta, që përfitonin nga skema e ndihmës ekonomike.

Top Channel