Irani: Ne nuk do të çmontojmë gjë

23/01/2014 00:00

Ministri i Jashtëm iranian, Mohammad Javad Zarif, këmbënguli të mërkurën se administrata Obama ka karakterizuar gabimisht “lëshimet” e palës së tij në marrëveshjen 6-mujorshe me Iranin, duke thënë për CNN, në një intervistë ekskluzive, se “ne nuk jemi dakordësuar të çmontojmë ndonjë gjë”.

Zarif tha për korrespondentin e CNN, Jim Sciutto, se terminologjia e përdorur nga Shtëpia e Bardhë, për të përshkruar marrëveshjen ndryshon nga teksti i dakordësuar mes Iranit dhe shteteve të tjera në bisedime, – SHBA, Britani, Francë, Rusi, Kinë dhe Gjermani.

“Versioni i Shtëpisë së Bardhë minimizon lëshimet dhe i maksimizon angazhimet e Iranit”, në atë marrëveshje, e cila hyri në fuqi ditën e hënë, tha Zarif nga Davosi në Zvicër, ku do të marrë pjesë në Forumin Ekonomik Botëror.

Si pjesë e akordit, Iranit iu kërkua të ulte rezervat e uraniumit, që tashmë është pasuruar në 20%, shumë më tepër se sa niveli prej 5% i nevojshëm për të gjeneruar energji, por ende shumë poshtë nivelit për të zhvilluar një armë bërthamore. Më tej, marrëveshja mandatonte Iranin të ndalte pasurimin e mëtejshëm të uraniumit mbi 5% dhe “të çmontonte lidhjet teknike të nevojshme për pasurimin mbi 5%”, sipas të dhënave të Shtëpisë së Bardhë të publikuara në Nëntor, pas arritjes fillestare të marrëveshjes.

Zarif akuzon administratën Obama se ka krijuar një impresion të rremë me këtë lloj gjuhe të përdorur. “Shtëpia e Bardhë përpiqet të paraqesë akordin, në thelb, si një çmontim apo shkatërrim të programit bërthamor të Iranit. Kjo është fjala që ata kanë përdorur atëherë, por dhe tani”, tha ai, duke nxitur intervistuesin të lexonte tekstin aktual të marrëveshjes.

“Nëse ju gjeni një fjalë të vetme, që i përafrohet sado pak çmontimit apo shkatërrimit, apo që mund të përkufizohet si i tillë, në të gjithë tekstin, atëherë unë do ta tërheq mbrapsht këtë koment që po bëj”.

Ai ritheksoi se “ne nuk do të çmontojmë ndonjë centrifugë, nuk do të çmontojmë ndonjë pajisje, thjesht nuk do të prodhojmë, apo nuk do të pasurojmë mbi 5%”.

“Ju nuk duhet ta mbitheksoni atë”, tha Zarif në lidhje me gjuhën e Shtëpisë së Bardhë. Një përmbledhje e publikuar javën e kaluar nga Shtëpia e Bardhë, në fakt, nuk e përdorte në asnjë vend fjalën shkatërrim apo çmontim (dismantle).

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA