Prezenca e OSBE-së, në bashkëpunim me Ministrinë e Punëve të Brendshme
kanë zhvilluar sot një seminar kombëtar për hetimin dhe ndjekjen penale
të veprave penale të trafikimit të personave.

Në fjalën e tij para të pranishmëve, zv/ambasadori i OSBE-së në Tiranë Robert Wilton theksoi se identifikimi i viktimave të trafikimit është një hap i rëndësishëm që arrihet përmes një pune specifike dhe se shtimi i ndjekjeve penale ndaj trafikantëve përbën një sfidë të rëndësishme për Shqipërinë.

“Kemi vënë re se kohët e fundit ka pasur zhvillime pozitive ne lidhje me koordinimin e mekanizmave ekzistues. Përvoja e vendeve që kanë sukses në identifikimin e personave të trafikuar ka treguar se çdo punonjës publik që mund të ndeshet me persona të trafikuar mund të bëjë identifikimin.Një qasje e tillë rrit besimin te autoritetet dhe shpëton këto viktima”, tha ai.

Wilton gjithashtu theksoi se fëmijët janë gjithmonë më të dobët dhe të pambrojtur përballë trafikimit ndaj duhet të merren masa të posaçme për t’i mbrojtur ata nga shfrytëzimi.

“Fëmijët janë gjithmonë të dobët ndaj trafikimit dhe kërkojnë masa të veçanta. Nuk duhet të harrojmë se trafikimi dhe shfrytëzimi i fëmijëve duhet të merret parasysh nga autoritetet shqiptare. Prezenca e OSBE-së së bashku me autoritetet shqiptare po punojnë për hartimin e dispozitave ligjore për mbrojtjen e fëmijëve”, tha Wilton.

Zv/ambaasdori garantoi se OSBE është e gatshme që të bashkëpunojë në këtë kuadër me autoritetet shqiptare.

Ndërsa zv/ministrja e Brendshme Elona Gjebrea nënvizoi se “trafikantët nuk duhen trajtuar me dy standarde”.

Gjithashtu Gjebrea shtoi se “rastet e trafikimit kalojnë në një zinxhir veprimesh ku mungesa e koordinimeve dëmton procesin”.

Ndërkohë, drejtori i përgjithshëm i policisë së shtetit Artan Didi theksoi se Shqipëria mbetet vend origjine e trafikimit të qenieve njerëzore.

“Shqipëria vazhdon të jetë vend origjine për trafikimin e qenieve njerëzore me destinacion vendet e rajonit, si Kosova, Maqedonia dhe Italia. Gjatë viteve 2012-2013 ka pasur një rritje të numrit të rasteve të identifikimit të viktimave të mundshme të trafikimit edhe në Belgjikë, Zvicër, Gjermani dhe ndonjë rast sporadik në Britaninë e Madhe. Vajzat shqiptare shfrytëzohen për shërbime seksuale. Mënyra tradicionale e rekrutimit të tyre është ofrimi i punëve si valltare në bare dhe në restorante dhe më pas përfshirja në rrjetin e prostitucionit”, tha Didi.

Sipas Didit, trend në rritje është edhe shfrytëzimi i shtetasve të huaj për punë.

“Në dy raste shtetas nga Filipinet janë sjellë në Shqipëri nëpërmjet Kosovës dhe shfrytëzohen për punë. Trafikantët nuk përdorin më dhunë fizike për rekrutimin e viktimave. Në pjesën më të madhe bëhet marrëveshje mes viktimës dhe shfrytëzuesit për të ndarë fitimet me njëri tjetrin”, u shpreh ai.

Top Channel