Hetimi për serverin e “Drejtësisë”

23/01/2014 00:00

Sistemi informatik më të cilin operojnë përmbaruesit privat dhe noterët
do të rikthehet në punë brenda kësaj jave. Këtë gjë e ka konfirmuar
Jurgen Pilkati, keshilltar për Teknologjinë dhe Inovacionin në
Ministrinë e Drejtësisë.

Pilkati ka saktësuar se sistemi administrohet nga një kompani private dhe jo nga IT e Ministrisë së Drejtësisë dhe ka siguruar se nga verifikimet e deritanishme nuk ka rezultuar që të jenë demtuar, ndryshuar apo vjedhur të dhënat.

“Sistemet e përmbaruesit dhe Dhomës së Noterëve janë zhvilluar dhe mirëmbajtur nga kompani private. Momentalisht është ngritur një grup pune, mes Prokurorisë, Policisë së Shtetit dhe njësive të tjera që merren me ruajtjen e të dhënave, të cilat marrë të dhëna për të gjetur gjurmë të mundshme që mund të kishte lënë ky sulm. Deri tani nuk shohim asnjë gjurmë, që do të thotë nuk ka asnjë mundësi për marrjen e të dhënave”, tha Pilkati.

E gjithe kjo çeshtje eshte nen hetim dhe ekspertet dhe kompanite qe kujdesen per sistemin jane duke u pyetur nga organet e drejtesise, ndersa po behen ndryshime per te rritur nivelin e sigurise se sistemit.

“Eshtë një hetim, ministria ka bërë kallëzim dhe të gjithë po japim deklaratat tona rreth kësaj cështje. Besoj se shumë shpejt do të zbardhet”, tha Pilkati.

Edhe Marsela Mezini, Drejtore e Kabinetit të Ministrisë së Drejtësisë ka konfirmuar se është duke u punuar që sistemi të rikthehet në normalitet dhe të rritet në maksimun niveli i sigurisë.

Top Channel