Amortizimi i linjave në tensionin e lartë ka vënë në rrezik furnizimin e
jugut të vendit me energji. Alarmin e ka dhënë Operatori i
Transmetimit, që i kërkon Qeverisë të ndërhyjë urgjentisht.

“Për të gjetur fondet e nevojshme për ndërtimin e një linje të re Kashar-Rrashbull në nënstacionin e Rrogozhinës, pasi ajo çfarë kemi pikë të dobët sot është furnizimi i zonës së jugut, për shkak të amortizimit të linjës 220 kilovolt, për shkak edhe të linjës tjetër Elbasan-Fier, e kemi të pamundur të garantojmë këtë furnizim me kërkesën që është gjithnjë në rritje”, tha Engjell Zeqo, drejtor i OST-së.

Vitin e kaluar OST realizoi vetëm 40 për qind të investimeve të planifikuara. Shkak është CEZ-i, i cili ka zhytur gjithë sistemin energjetik në kolaps.

“Mosrealizimi ka ardhur totalisht për mospasjen e likuiditeve të nevojshme për debitin e krijuar nga ana e CEZ-Shpërndarje, i cili në total kap vlerën prej rreth 12.5 miliardë lekë”, tha Zeqo.

Ministri i Energjisë dhe Industrisë, Damian Gjiknuri garantoi se Qeveria do të mbështesë çdo investim të OST për të siguruar furnizimin e konsumatorëve me energji, por kërkoi nga ky institucion që ato të jenë pjesë e një plani të përgjithshëm kombëtar.

“Ka ardhur momenti që të zhvillohet masterplani i zhvillimit të të gjithë rrjetit të transmetimit në Shqipëri, pra të mos mbetemi më vetëm te këto projekte ad-hock, por ka ardhur momenti që ne të kemi perspektivë për 20 vitet e ardhshme që reflekton edhe dinamikën e zhvillimit ekonomik, të popullsisë, por mbi të gjitha edhe gjenerimet e reja”, tha Gjiknuri.

Zoti Gjiknuri tha se paralelisht Qeveria ka nisur kontaktet me qeverinë italiane për të riaaktivizuar projektin e kavos nënujore që bashkë me linjën e kosovës, e bëjnë Shqipërinë pjesë të rrjetit ndërkombëtar të energjisë.  

Top Channel