Mospastrimi i shtratit të lumit Gjadër prej disa dekadash dhe bllokimi i kanaleve të kullimit në Lezhë, Shkodër e Krujë, kanë shkaktuar përmbytjen e mbi 5 mijë hektarë tokë.

Zona më e goditur nga përmbytjet, pas reshjeve të mbrëmjes së të martës, është Zadrima, ku 1500 hektarë tokë janë nën ujë nga dalja e lumit Gjadër nga shtrati.

Sipas Shtabit të Emergjencave, situata është e vështirë dhe në 24 orët e fundit kanë rënë 120 milimetra shi.

Banorët e zonës, nga ana tjetër, tregojnë se kjo fryrje e Gjadrit nuk është parë që në vitin 1963, ndërsa bëjnë apel për ndërhyrje, pasi rrezikohet e gjithë pasuria e tyre.

Edhe në komunat Dajç e Balldre ka probleme dhe kryekomunarët kërkojnë ndërhyrje të shpejtë.

Sipas Shtabit të Emergjencave, probleme ka në lagjen afër portit në Shëngjin dhe në fshatin Troshan, ku rrezikohet thyerja e argjinaturës dhe dalja e përroit të kësaj zone.

Zona e goditur nga përmbytjet në Lezhë është vizituar edhe nga ministri i Bujqësisë Panariti, që është takuar edhe me Shtabin e Emergjencës.

Përmbytje në Nënshkodër
Shkak mospastrimi i kanalizimeve, rrezikohen banesa

Reshjet e shiut, që vazhdojnë të bien në zonën e Shkodrës, kanë përmbytur me dhjetra hektarë toka bujqësore, ndërsa shumë banesa janë të rrethuara nga uji.

Nënshkodra e Shkodrës ka marrë pamjen e një liqeni. Mosfunksionimi i kanaleve kulluese në parcelat e fermerëve ka bërë që i gjithë uji i reshjeve të shiut të përmbytë tokat.

Situata më problematike duket në zonën e Malit të Jushit, në kufi me Lezhën, ku uji ka dalë në rrugën kryesore që lidh këtë zonë me pjesën tjetër të vendit.

Shumë banesa në këtë zonë janë rrethuar nga uji dhe, në rast të vazhdimit të reshjeve, kërcënohen me përmbytje në shtëpitë e tyre. Situatë të ngjashme raportojnë edhe banorët në Hajmel dhe Naraç.

Përmbytje nga Erzeni e Ishmi

Reshjet e dendura të shiut, në pak orë, kanë rikthyer përmbytjet edhe në qarkun e Durrësit. Zona më e dëmtuar është komuna e Bubqit në rrethin e Krujës, ku 300 hektarë tokë gjenden nën ujë.

Dalja nga shtrati e lumenjve Ishëm dhe Erzen ka përmbytur sipërfaqe të tëra me tokë bujqësore dhe në komunat Thumanë e Nikël të Krujës, si dhe në Hamallaj të Sukthit.

E ndërsa hidrovorët, siç deklarohet nga Shtabi i Emergjencave, po punojnë me intensitet të plotë, situata në grykëderdhjen e lumit Ishëm paraqitet e ngarkuar, për shkak të prurjeve të shumta të lumenjve dhe morisë së mbeturinave urbane, që rëndom depozitohen në to.

Në Fushë-Krujë dhe Nikël ka nisur ndërhyrja me mjetet e Bordit të Kullimit, ndërsa të gjitha njësive vendore të prekura nga përmbytjet u është kërkuar të parandalojnë në kohë dhe përmes evakuimit, rrezikun nga përmbytja e disa banesave.

Kryetari i Shtabit të Emergjencave në qark, prefekti Roland Xhelilaj, thotë se situata është nën kontroll.

Panariti në zonat e përmbytura
Ministri: Disa hidrovore mbetën pa energji

Ministri i Bujqësisë, Edmond Panariti, që inspektoi zonat e përmbytura në Lezhë, deklaroi se shtabi i emergjencës do hartojë një plan urgjent ndërhyrjeje në 12 kilometra të lumit Gjadër që ka dalë nga shtrati, duke nisur me pastrimin e kanalizimeve.

“Do synojmë që këto 12 KM të pastrohen që uhi të evadohet. Por ndërhyrjet janë komplekse pasi duhet të jenë në gjithë basenin, edhe në Drin. Do nisim me këtë zonë, që kërkon pastrimin e brigjeve dhe argjinaturës”, deklaroi Panariti.

Ministri kërkoi që edhe banorët të punojnë për hapjen e kanalizimeve në tokat e tyre, ndërsa tha se në disa raste hidrovoret nuk kanë funksionuar për mungesë energjie.

Top Channel