Nuk ka konsensus për territorin

22/01/2014 00:00

Dështon përpjekja e dytë për ngritjen e komisionit parlamentar për reformën territoriale.

Në mbledhjen e konferencës së kryetarëve për këtë çështje, opozita, ndryshe nga vetoja që kërkoi një ditë më parë, i shtoi këtij kushti edhe zhbërjen e aktit normativ për nëpunësin civil, ndërprerjen e procedurave të shkarkimit të kreut të ILDKP-së dhe tërheqjen nga amendamenti për Autoritetin e Medias Audiovizive.

Por, për mazhorancën, këto kushte të reja të opozitës janë politike dhe nuk kanë të bëjnë me reformën e kërkuar, për të cilën Gramoz Ruçi tha se, përmes bashkëkryesimit të komisionit dhe numrit të barabartë të anëtarëve, opozitës po i garantohet barazia e plotë në vendimmarrje.

“Vendimet merren me shumicën e të gjithë anëtarëve, që përfshin veto të opozitës dhe mbi të gjitha, vendimet quhen të qenësishme kur të dy bashkëkryetarët, pra përfaqësuesi i pozitës dhe opozitës, janë dakordësuar paraprakisht në vendimmarrjet, që do të marrë ky komision. Përsëri opozita nuk ra dakord dhe ne do të përdorim të gjitha mjetet demokratike e parlamentare, që opozita të jetë pjesë e këtij zhvillimi, pa u tërhequr nga domosdoshmëria e bërjes së kësaj reforme”, tha kreu i grupit parlamentar të socialistëve, Gramoz Ruçi.

“Jemi të vendosur për të mos e humbur durimin për të kërkuar konsensusin dhe ne këtë drejtim duhet vlerësuar edhe këmbëngulja jonë për të arritur atë, përderisa nuk ekziston asnjë arsye themelore për të bllokuar një reformë kaq të rëndësishme. Shpresoj që të ketë reflektim nga opozita”, u shpreh kryetari i Kuvendit, Ilir Meta.

Por, kryetari i opozitës Lulzim Basha ka reaguar duke sqaruar se, përse opozita ka vendosur kushte që nuk kanë lidhje të drejtpërdrejta me reformën territoriale, duke vendosur theksin te besimi që mazhoranca duhet t’i kthejë opozitës.

“Konsensus dhe rivendosje konsensusi. Është në dorën e mazhorancës dhe nuk ka qenë kurrë më e thjeshtë. Të japë konsensus gjithëpërfshirës, të japë konsensus për të gjithë vendimmarrjen në këtë reformë dhe të sigurojë njëkohësisht, që këtë konsensus nuk do ta përdhosë, siç përdhosi konsensusin dhe vendimmarrjet e mëparshme. Duke ndaluar sulmet ndaj institucioneve të pavarura dhe duke zhbërë efektet e paligjshme të prishjes së konsensusit të 30 Shtatorit. Më shqip se kaq, nuk bëhet. Për ambasadorët, besoj se do përkthehet edhe në anglisht”, deklaroi Basha.

Por, pavarësisht kësaj, kreu i demokratëve nuk ka ngurruar të japë këtë mesazh, edhe në gjuhën e ambasadorëve.

“Miqtë tanë ndërkombëtarë besoj se na kuptojnë mirë. Si në shqip, edhe në anglisht, ka një thënie: ‘Fool me once, shame on you. Fool me twice, shame on me’, apo ‘Ma hodhe njëherë, turp për ty. Ma hodhe për herë të dytë, turp për mua’”, shtoi Basha.

Reforma territoriale, këtë herë, ka mbështjetjen financiare dhe në ekspertizë të ndërkombëtarëve. Ajo mbështetet nga qeveria amerikane, ajo zviceriane dhe suedeze, me përfaqësuesit e të cilëve kryeministri Rama nënshkroi projektin Star, projekt i asistencës teknike, që do të mbështesë reformën territoriale, ku edhe i ofroi opozitës veton dhe konsensusin e plotë. Më herët gjatë ditës, kryeministri Rama kishte pranuar kërkesën e parë të opozitës për të drejtë vetoje në komisionin për reformën territoriale.

Top Channel